“NYT”: Afganët, krime të tmerrshme seksuale me femrat
Ushtarët amerikanë që ndodhen ende në Afganistan janë bërë dëshmitarë të dhjetra rasteve të dhunës fizike dhe seksuale ndaj të miturve nga ana e policëve dhe ushtarëve afganë, por u ndalohej të ndërhynin.
“New York Times” zbulon rastet dramatike të shkeljes së të drejtave të njeriut përmes një sërë dëshmive të marra nga ushtarakë që janë rikthyer në vendlindje.
“I dëgjonim natën teksa bërtisnin, qanin, luteshin që të ndalonin dhe nuk mund të bënim asgjë, pasi nuk na lejohej të ndërhynim”,- rrëfen një ushtarak amerikan.
Një tjetër dëshmi është nga i ati i Gregory Buckley, oficer i lartë i vrarë gjatë një sulmi në një bazë ushtarake amerikane në vitin 2012.
Ai thotë se gjatë një bisede me të birin, i kishte rrëfyer për tmerret që kishte dëshmuar në terren.
Çdo ndërhyrje, shkruan “New York Times”, ndalohej nga drejtuesit amerikanë dhe autoritetet afgane që u kërkonin ushtarëve amerikanë të qëndronin larg këtyre rasteve, pasi përdhunimi i minoreneve “ishte pjesë e kulturës vendase”.
Siç dëshmojnë ushtarakët amerikanë, rastet më të shpeshta ndodhnin në zonat rurale, ku drejtuesit afganë të ushtrisë a policisë kishin pushtet të pakufizuar ndaj popullsisë lokale.
Në gjuhën vendase praktika njihej si “bachi bazi”, e përkthyer në shqip fjalë për fjalë “lojë me fëmijë” dhe ishte e përhapur thuajse në gjithë vendin.
“Arsyeja që ndodheshim atje ishte për të ndaluar krimet e talebanëve ndaj popullsisë civile, por po u jepnim pushtet njerëzve që bënin gjëra akoma më të tmerrshme se talebanët.
Të paktën kështu na thonin të moshuarit nëpër fshatra”,- thotë Dan Quinn, ish-kapiten i forcave speciale amerikane në Kandahar.
Ushtarët amerikanë ishin të pafuqishëm të ndërhynin në raste të tilla, edhe atje kur kanë bërë të kundërtën janë ndëshkuar në bazë të politikës së ndjekur, për të injoruar rastet e pedofilisë në radhët e forcave afgante të sigurisë. /Top Channel/