Obamacare, Dhoma e Përfaqësuesve, projektligj për shfuqizimin e aktit

Dhoma e Përfaqësuesve ka ndërmarrë hapin e parë drejt shfuqizimit të ligjit të presidentit Barack Obama, i njohur ndryshe si Obamacare.

Republikanët miratuan një masë për prezantimin e një projektligj që nuk mund të bllokohet nga demokratët, me qëllim shfuqizimin e këtij akti. Por anëtarë të të dy partive në Kongres, janë të shqetësuar se nuk ka ende një zëvendësim për Obamacare. Kjo përplasje politike ngre dyshime të mëdha për sigurimet shëndetësore të më shumë se 20 milionë amerikanëve.

Rezoluta e Dhomës së Përfaqësuesve ka kaluar tashmë në Kongres me një votë 227-198, ndërkohë që Senati e aprovoi rezolutën me 51 vota pro dhe 48 kundër, duke i dhënë kështu edhe goditjen përfundimtare presidentit Obama, një javë përpara se ai të lërë detyrën. Masa udhëzon katër komitete në Capitol Hill të hartojnë një legjislacion shfuqizimi deri më 27 janar.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Jemi një hap më pranë çlirimit të amerikanëve nga problemet që ky ligj ka sjellë. Rezoluta na jep mjetet e duhura për një qasje hap pas hapi të rregullimit të këtyre problemeve, që amerikanët të marrin sërish kontrollin mbi kujdesin e tyre shëndetësor”, u shpreh folësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, në një deklaratë pas votimit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Akti Obamacare siguron subvencione shëndetësore dhe mbulim mjekësor për miliona amerikanë të pasiguruar në punët e tyre. Shoqëritë e sigurimit nuk mund të refuzojnë të mbulojnë persona që tashmë janë të sëmurë, dhe të moshuarit dhe të sëmurët tashmë paguajnë një faturë më të vogël mjekësore.

Por ligji është prekur nga rritja e kësteve të sigurimit, tarifat e larta dhe tërheqja e shoqërive të sigurimit nga tregu.

Të nxitur nga Donald Trump, republikanët janë betuar ta shfuqizojnë Aktin e Kujdesit të Përballueshëm Shëndetësor.

I zgjedhuri i zotit Trump si sekretar i shëndetit dhe shërbimeve njerëzore, Tom Price, pritet të luajë një rol kyç në ideimin e një plani të ri shëndetësor.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?