OBSH-ja heton origjinën e virusit
Një ekip prej 10 ekspertësh të Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbërritën të enjten në Kinë për të nisur hetimet mbi origjinën e koronavirusit.
Shkencëtarë nga Amerika, Australia, Gjermania, Japonia, Rusia dhe vende të tjera pritet të qëndrojnë për një muaj në qytetin e Uhanit, ku virusi u izolua në fund të vitit 2019.
Ekipi pritet të fokusohet te studimet se si koronavirusi i ri kaloi te njerëzit, nëpërmjet lakuriqit të natës apo nga kafshët e tjera që shiteshin në tregun lokal të qytetit.
Pekini ka deklaruar se në Uhan, mund të jetë zbuluar epidemia, por ai nuk është detyrimisht zanafilla e saj, pasi shumë shtete e kanë konfirmuar prezencën e virusit përpara Kinës.
Sëmundja e Covid-19 në shtetin e madh aziatik shënoi pak orë më herët viktimën e parë pas tetë muajve qetësi.
Përhapja e infeksionit në provincën e Hebeit, rreth kryeqytetit, po tentohet të parandalohet me testimin në masë të popullatës dhe me izolimin e zonave të prekura.
Në Kinë virusi i ri korona ka infektuar 97 mijë njerëz, dhe ka vrarë rreth 4,800 të tjerë.
Bilanci botëror pas një viti betejë me pandeminë rezulton më tragjiku i këtij shekulli, me 90 milion të prekur dhe gati 2 milionë viktima.
SHBA-ja kryeson me rreth 385 mijë jetë të humbura, ndjekur nga Brazili dhe India, ndërsa në Evropë, Britania, Franca dhe Italia raportojnë së bashku afro 235 mijë vdekje nga Covid-19