OKB: Pushtimi i territoreve palestineze duhet të marrë fund
Një komision hetimor i caktuar nga Kombet e Bashkuara, tha sot në një raport ligjor se të gjitha vendet dhe organizatat ndërkombëtare kanë për detyrë t’i japin fund pushtimit të territoreve palestineze nga Izraeli.
“Të gjitha shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, kanë detyrime sipas ligjit ndërkombëtar për t’i dhënë fund pranisë së paligjshme të Izraelit në Territorin e Pushtuar Palestinez. Izraeli duhet të tërheqë të gjithë kolonët, të kthejë tokën dhe të shfuqizojë ligjet diskriminuese. Vendet e tjera nuk duhet ta mbështesin pushtimin financiarisht, ushtarakisht apo politikisht”, sipas raportit.
Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut krijoi “Komisionin e Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit për Territorin e Pushtuar Palestinez, duke përfshirë Jerusalemin Lindor” në vitin 2021, duke kërkuar që ai të shqyrtojë shkeljet e mundshme të ligjit ndërkombëtar. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin izraelit si të paligjshëm në korrik, gjë që komisioni hetimor e ka mirëpritur. As vendimi i GJND-së dhe as raporti i ri ligjor nuk janë të detyrueshëm. Izraeli ka kritikuar gjykatën dhe rregullisht refuzon raportet e komisionit, duke i akuzuar ata se janë të njëanshëm kundër Izraelit.