OKB thirrje për presion ndaj talibanëve, shkak shkollimi i vajzave
Kombet e Bashkuara bën thirrje që shtetet të ushtrojnë presion diplomatik ndaj sundimtarëve talibanë në Afganistan, duke thënë se ndalesa që ata kanë vendosur ndaj shkollimit të vajzave, ka lënë miliona fëmijë jashtë klasave shkollore që kur grupi u rikthye në pushtet katër vjet më parë.
“Në një kohë kur disa po përpiqen të normalizojnë marrëdhëniet me talibanët, unë bëj thirrje që komuniteti ndërkombëtar të mbetet më i mobilizuar se kurrë për rivendosjen e plotë dhe të pakushtëzuar të të drejtës së grave afgane për arsimim”, tha Audrey Azoulay, drejtoreshë e Agjencisë Kulturore dhe Arsimore të OKB-së, UNESCO.
Afër 2.2 milionë vajzave u ndalohet të ndjekin shkollimin përtej nivelit fillor, sipas UNESCO-s. Talibanët, të cilët premtuan një sundim më të butë pas marrjes së pushtetit në gusht të vitit 2021, kanë vendosur kufizime të mëdha për gratë, duke i ndaluar ato të ndjekin universitetet, të shkojnë në parqe publike, palestra dhe sallone bukurie – masa që OKB-ja i ka cilësuar si “aparteid gjinor”.
KOHA JONË SONDAZH

