Oksigjen në Mars, NASA siguron provat e para
NASA ka siguruar për të parën herë prova konkrete për praninë e oksigjenit në atmosferën e Marsit. Zbulimi është bërë mbi kraterin Gale, nga Roveri Curiosity, aktiv që nga gushti i 2012-ës. Instrumentet e Curiosity në tre vitet e fundit në mars, kohë kjo e barabartë me rreth gjashtë vite në tokë, kanë zbuluar, krejt papritur, variacione rajonale të molekulave të oksigjenit, që në tokë konsiderohet sinonim i jetës.
Shkencëtarët e Curiosity, kanë publikuar rezultatet në revistën Journal of Geophysical research: planets. Oksigjeni marsian duket se sillet si metani, i pikasur në të shkuarën nga Curiosity. Nivelet e tij janë në fakt shumë të ulëta në periudhën e dimrit, më pak se 1 për qind, sipas shkencëtarëve të NASA-s, por rriten ndjeshëm në pranverë dhe verë. Pikërisht siç bën edhe metani.
Kërkuesit e Nasa-s nuk kanë për momentin një shpjegim për këtë luhatje që nuk mund të shpjegohet me dinamikat normale të atmosferës. Për shkencëtarët duhet të ketë një shkak tjetër, psh të natyrës gjeologjike. Një shpjegim tjetër, mund të jetë edhe prania e formave të mundshme të jetës bakteriale. Por për këtë të fundit, të paktën për momentin, nuk ka prova. Curiosity nuk ka instrumentet për të shuar dyshimin. Detaje më të mëdha mund të mësohen nga dy misionet e programuara për 2020; exoMars 2020 i agjencisë hapësinore evropiane dhe mars 2020, të NASA-s, që do të kërkojnë gjurmë të formave të mundshme të jetës, të tashme apo të shkuar, në mars.