“Paguaj me fytyrën tënde” 52 supermarkete në Moskë instalojnë sistemin e ri

Rrjeti më i madh i supermarketeve në Rusi po fut teknologjinë biometrike për të thjeshtuar blerjet.

Të mërkurën, grupi “X5” njoftoi instalimin e një sistemi të ri pagesash që skanon në 3D tiparet e fytyrës së personit për të kryer pagesat elektronike.

Teknologjia po shfrytëzohet nga mbi 50 dyqane të administruara nga kompania ruse, dhe pritet të shtrihet në 3 mijë dyqane deri në fund të vitit.

“Kur instaluam fillimisht strukturat ku paguan vetë, kishim frikë se të moshuarit nuk do i përdornin. Por po ndodh e kundërta. Kur ke një produkt që është i thjeshtë në përdorim, të gjithë e përdorin pa frikë.”

Tiparet e fytyrës janë të lidhura me një portofol virtual, i cili aksesohet në mënyrë të sigurt nëpërmjet sistemit bankar VISA nëse personi është klient i Bankës shtetërore ruse të Kursimeve.

“Është diçka e mirë sepse shekulli i 21-të është shekulli i teknologjisë. Sigurisht që për të moshuarit është risi, përderisa disa prej tyre ende përdorin celularët me butona.”

Kompania ruse thotë se të tiparet identifikuese të personave janë të mbrojtura dhe të pamanipulueshme, edhe pse aktivistë të ndryshëm në vend thonë se ato po përdoren për mbikëqyrje.

Gjatë pandemisë, mësohet se Moska përdori mijëra kamera sigurie të instaluara nëpër kryeqytet për të monitoruar sa qytetarë i respektonin masat antikovid.

SHKARKO APP