Pakistani dhe Afganistani shkëmbejnë sulme, raportime kontradiktore
Pakistani dhe Afganistani vazhduan shkëmbimin e sulmeve të shtunën, duke ofruar raporte kontradiktore mbi progresin e tyre dhe duke diskredituar versionet e njëri-tjetrit. Ministri i Informacionit i Pakistanit, Attaullah Tarar, deklaroi se mbi 331 forca talibane afgane ishin vrarë dhe më shumë se 500 ishin plagosur gjatë sulmeve ajrore dhe përleshjeve të vazhdueshme. Ai shtoi se sulmet ajrore kishin shënjestruar infrastrukturën dhe depot e armëve në 37 lokacione në Afganistan, duke shkatërruar mbi njëqind poste afgane, kapur 22 të tjera dhe asgjësuar 163 tanke e mjete të blinduara. Mediat shtetërore pakistaneze raportuan se forcat ajrore kishin goditur instalime kyçe ushtarake në disa zona të Afganistanit lindor, ndërsa qindra banorë pranë kufirit Torkham kishin kërkuar strehim në zona më të sigurta.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit njoftoi se forcat afgane sulmuan bazat ushtarake pakistaneze në Miranshah dhe Spin Wam gjatë natës, duke shkatërruar instalime dhe duke shkaktuar viktima të rënda, në përgjigje të sulmeve ajrore pakistaneze. Mullah Taj Mohammad Naqshbandi, një komisioner afgan në anën afgane të kufirit Torkham, pohoi se “forcat trime të Emirateve Islamike shkatërruan komisariatin, njësitë ushtarake dhe tre kulla të rëndësishme sigurie të regjimit ushtarak pakistanez”. Zyrtarët afganë pretenduan gjithashtu se kishin rrëzuar një avion pakistanez mbi Xhalalabad dhe kishin kapur pilotin, por Ministria e Jashtme e Pakistanit i quajti këto pretendime “plotësisht të pavërteta”.
Përleshjet shpërthyen të enjten mbrëma përgjatë kufirit 2500 kilometra, të cilat Afganistani tha se ishin përgjigje ndaj shënjestrimit të militantëve islamistë nga Pakistani ditë më parë. Islamabadi fajëson militantët për sulmet vdekjeprurëse ndërkufitare të kryera nga strehëzat e tyre afgane. Ministri pakistanez i Mbrojtjes, Khawaja Asif, akuzoi udhëheqjen talibane për strehimin e “të gjitha llojeve të terroristëve”, duke shtuar se Pakistani tani është në “një luftë të hapur” me fqinjin e tij. Aleatët rajonalë, përfshirë Arabinë Saudite, Katarin dhe Iranin, kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe kanë ofruar ndërmjetësim, por pa progres deri më tani.
KOHA JONË SONDAZH

