Pakt për uljen e prodhimit të naftës dhe rritjen e çmimit të goditur nga koronavirusi, Meksika kundër
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës do të ndalin prodhimin e arit të zi me qëllim luftimin e rënies së kërkesës të shkaktuar nga koronavirusi. Një nga shtetet aleate, Meksika, po heziton t’i bashkohet qëndrimit shumëpalësh duke e vënë marrëveshjen në rrezik.
Tentativa për ta ulur prodhimin global të naftës dhe për të stabilizuar çmimin e saj në tregje rrezikon të dështojë pasi Meksika po e refuzon marrëveshjen.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe vendet aleate miratuan të enjten uljen bashkërisht të prodhimit me 10 milionë fuçi nafte në ditë në muajt maj dhe qershor, në 8 milion në muajin korrik dhe deri 6 milionë fuçi në ditë nga janari 2021 deri në prill të vitit 2022.
Arabia Saudite dhe Rusia u zotuan secila të mbajnë peshën më të madhe me 2,5 milionë më pak fuçi në ditë, Iraku 1 milion më pak fuçi në ditë dhe anëtarët e tjerë me 23 për qind më pak.
Ndërkohë Meksika, shtet i cili nevojitet për t’i dhënë marrëveshjes fuqi vepruese, ka pranuar vetëm uljen me të paktën 100 mijë nga 400 mijë fuçi që parashikohet sipas paktit historik pasi nuk mund të devijojë nga planet për të ardhurat.
Pandemia e koronavirusit nga muaji mars ka krijuar disbalanca të thella mes kërkesës dhe ofertës për naftë në botë, duke dëmtuar vendet eksportuese.
Arabia Saudite dhe Rusia tentuan të mbrojnë fitimet me rritjen e prodhimit, zhvillim që e zbriti çmimin e naftës në nivelin më të ulët në 18 vite.
Në bursat ndërkombëtare, kontradiktat mes palëve u reflektuan të enjten në rënien më tej të çmimit të naftës në indeksin kryesor të Europës, duke prekur më pak se 32 dollarë për fuçi, gjysmën e vlerës krahasuar me fillimin e vitit.
Ministrat e energjisë të G-20 do të konsultohen të premten dhe mund të rritin presionin mbi Meksikën për kompromis, ndërsa shtetet naftëmbajtëse si SHBA-ja dhe Kanadaja gjithashtu pritet të ulin deri 5 milionë fuçi në ditë prodhimin e tyre.