Pamjet e trishta pas rrëzimit të avionit, si shpëtuan gjallë për mrekulli dy foshnje (Foto)
Të paktën 15 është numri i të vdekurve pasi aeroplani i kompanisë kazake, Bek Air, është rrëzuar sot me 95 pasagjerë dhe pesë anëtarë të bordit, pas nisjes nga aeroporti i Almatit në Kazakistan.
Mediat e huaja raportojnë se dy foshnje janë në mesin e 49 të mbijetuarve.
The Sun shkruan se viktimat dërguan mesazhe urgjente SOS përmes mediave sociale pasi avioni u përplas mbi një ndërtesë dy katëshe pas rrëzimit.
Tetë fëmijë të plagosur u shpëtuan nga aeroplani dhe i janë nënshtruar operacionit.
Autoritetet e aviacionit kanë thënë se pajisja “nuk ka arritur lartësinë e duhur gjatë nisjes dhe është përplasur për një ndalesë betoni” para se të ndeshej me një ndërtesë dykatëshe.
Kompania Bek Air funksionon me flotën e aeroplanëve, Fokker. Komiteti shtetëror i aviacionit ka thënë se do të pezullojë të gjitha fluturimet me këtë lloj aeroplani pas rrëzimit dhe derisa të kryhen hetimet.
Të dhënat tregojnë se aeroplani i përfshirë në incident, Fokker-100, ka qenë 23.7 vjet i vjetër.
Kompania që ka prodhuar këtë lloj aeroplani, ka bankrotuar më 1996 dhe prodhimi i këtyre aeroplanëve është ndalur më 1997.