Pandemia e COVID-19/ Amerikanët këshillohen të mos udhëtojnë në 80% të vendeve të botës

Departamenti amerikan i Shtetit i këshilloi qytetarët amerikanë që të shmangin udhëtimin në 80 për qind të vendeve të botës, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në një shënim për media, në lidhje me udhëzimet e azhurnuara të udhëtimit, Departamenti i Shtetit tha se pandemia vazhdon “të përbëjë rreziqe të papara për udhëtarët”.

Këshillimi i deritashëm për të mos udhëtuar mbulonte 34 nga 200 vende. Departamenti i Shtetit tha se vendimi për të azhurnuar këshillat për udhëtim është bërë për t’i sjellë ato më në përputhje me këshillat e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe “nuk nënkupton rivlerësim të situatës aktuale shëndetësore në një vend të caktuar”. Rrjedhimisht, rreth 80% e vendeve do të futen në nivelin 4 – që nënkupton rrezik të madh, tha Departamenti i Shtetit.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA u rekomandojnë qytetarëve amerikanë që të përmbahen nga udhëtimet brenda SHBA-së derisa të vaksinohen plotësisht, ndërsa paralajmërojnë se udhëtimet ndërkombëtare “paraqesin rrezik shtesë” edhe për të vaksinuarit. Mbi 860 milionë doza të vaksinave kundër koronavirusit janë administruar deri më tash në 165 vende të botës, por shumë të tjera vazhdojnë të luftojnë për të frenuar pandeminë. Koronavirusi ka vrarë mbi tre milionë njerëz në të gjithë botën – më shumë se gjysmë milioni prej tyre në SHBA.

Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, mbi 142 milionë njerëz janë infektuar në total. Prej tyre, mbi 81 milionë janë shëruar. Në Evropë, vendet më të prekura janë: Franca, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Spanja dhe Gjermania. Shumë prej tyre vazhdojnë të jenë nën nivele të ndryshme izolimi.

SHKARKO APP