Pandemia, kufizimet mbi bizneset dhe jetën publike shkatërruan punësimin
Organizata e Kombeve të Bashkuara për punësimin, ILO, botoi raportin e saj të shtatë për krizën e coronavirusit që nga marsi i vitit të kaluar. Sipas këtij raporti, gjatë vitit të fundit në rang botëror u mbyllën katër herë më shumë pozicione punësimi sesa gjatë krizës financiare globale të vitit 2009.
Sipas vlerësimeve të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, kufizimet mbi bizneset dhe jetën publike shkatërruan 8.8% të gjithë orëve të punësimit në të gjithë botën. Kjo gjë është ekuivalente me 255 milionë vende pune me kohë të plotë.
Drejtori i përgjithshëm i ILO-së, Guy Rider, u shpreh që ‘kjo ka qenë kriza më e ashpër për punësimin që nga kriza ekonomike e vitit 1930’. Si pasojë e gjithë kësaj, kemi pasur humbje masive në tregun global të punës në shifra 3.7 trilionë dollarë, e cila përbën 4.4% e të gjithë Prodhimit të Përgjithshëm Bruto në nivel botëror.
Të dhënat e ILO-së tregojnë se gratë dhe të rinjtë janë më të prekurit, ndërkohë që sektorët më të goditur janë sektori i akomodimit, shërbimeve të ushqimit, shitjet dhe prodhimet industriale. Në raportin e ILO-së veçanërisht shqetësues është fakti që 71% e punëve apo 81 milionë vende pune janë humbur si pasojë e mosaktivitetit.