Pandemia shton rastet e martesave të vajzave të vogla

Shumë vajza në botë vazhdojnë të martohen që fëmijë. Pandemia e ka shtuar këtë praktikë me 25 për qind në vendet e prapambetura ku janë mbyllur shkollat, në rastet kur ato kanë humbur një prind ose për arsye ekonomike.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët parashikon që 10 milionë vajza të reja të martohen kundër dëshirës së tyre këtë dhjetëvjeçar.

Në një studim të titulluar “COVID-19, rrezik për progresin kundër martesave të fëmijëve”, UNICEF-i vëren se mbyllja e shkollave, stresi ekonomik, shtatzënitë dhe vdekjet e prindërve për shkak të koronavirusit po i vënë vajzat më të varfra para rrezikut të martesës së parakohshme.

“Dita Ndërkombëtare e Grave është momenti kyç që të kujtojmë se këto vajza kanë për të humbur shumë nëse nuk veprojmë urgjentisht, arsimimin, shëndetin dhe të ardhmen e tyre,” deklaroi drejtuesja e UNICEF-it, Henrieta For.

Martesa e fëmijëve është një traditë e vjetër e cila në botë po praktikohet më rrallë.

OKB-ja synon që t’i japë fund asaj brenda vitit 2030, por pandemia e ka vështirësuar arritjen e objektivit.

Nga 650 milionë gra dhe vajza të martuara që të vogla në botë, gjysma e tyre jetojnë në 5 vende: në Bangladesh, Brazil, Etiopi, në Indi dhe në Nigeri.

UNICEF-i vëren një lidhje mes martesave që në vegjëli dhe varfërisë së një vendi.

Agjencia e OKB-së praktika mund të reduktohet më tej nëse fillohet me rihapjen e shkollave të mbyllura nga pandemia, me ligje dhe politika efikase që u garantojnë vajzave akses në shërbimet shëndetësore dhe sociale, dhe nëse merren masa për mbrojtjen e familjeve më të rrezikuara nga varfëria dhe dhuna.

SHKARKO APP