Papa: Administrata e Vatikanit, e sëmurë nga karrierizmi dhe lakmia

Administratorët më të lartë të Vatikanit kanë qënë sot duke pritur një fjalim krishtlindjesh nga Papa Francesku të mbushur me lutje, por Papa ka qënë sot kritik më shumë se asnjëherë. Ai tha sot se karrierizmi, intrigat dhe lakmia kanë prekur priftërinjtë, peshkopët dhe kardinalët, duke i infektuar ata me “alzhaimerin shpirtëror”. “Curia, – tha Papa, – administrata qendrore e kësaj kishe duhet të ndryshojë, të përmirësohet dhe nëse ajo nuk e kritikon vetveten, nëse nuk ecën me kohën, nëse nuk përpiqet të përmirësohet, atëherë ajo është si një trup i sëmurë”.

PAPA KERKON VEMENDJEN KRYESORE MBI FAMILJEN: LUANI ME FEMIJET, ESHTE KAQ BUUKUR

“Gëzuar Krishtlindjen”: ky qe urimi, që mbushi sot Sallën Pali VI, ndërsa Papa Françesku kalonte në korridoret mes karrigeve, i duartrokitur e i fotografuar me çdo mjet nga punonjësit e Vatikanit, në takimin para festave me Atin e Shenjtë. Kështu njofton sot Radio Vatikani.

“Krishtindja,- u tha Papa, – nuk është festë e “konsumizmit, e dukjes, ose e dhuratave të panevojshme”. Papa, që vetëm disa minuta më parë ishte ndarë me anëtarët e Kuries Romake, gjatë fjalës për punonjësit, e kaloi vëmendjen nga Kuria tek “Cura”, që në shqip do të thotë kujdes, kurim. I falenderoi punonjësit, sidomos “të panjohurit, të padukshmit”, si kopshtarët, pastruesit, rojtarët, ashensoristët e të tjerë, për angazhimin e tyre në punë, e qeshi e bëri shaka me të gjithë, kur, duke u dhënë këshilla, nënvizoi faktin se të pranishmit ishin nëpunës të Kuries e jo “të pabindur të Kuries, siç i kishte përcaktuar dikush pa dashur, duke bërë një gabim shtypi në shkruarjen e fjalës në italisht (dipendenti – disobbedienti)”. E pastaj, vazhdoi:

“Më lejoni t’ju nxis ta shndërroni këtë Krishtlindje Shenjte në një rast të vërtetë për t’u kujdesur për çdo plagë e për t’u kuruar nga çdo mungesë. Të kujdesemi do të thotë të tregojmë interesim plot zell e vëmendje, që impenjon si shpirtin, ashtu edhe veprimtarinë tonë për dikë o diçka; do të thotë të shohim me vëmendje atë, që ka nevojë për kujdes, pa menduar për tjetër gjë; do të thotë të pranojmë të japim ose të marrim vëmendje.

Më vjen ndërmend imazhi i nënës, që kujdeset për fëmijën e sëmurë, me përkushtim të plotë, duke e konsideruar të vetën dhimbjen e të birit. Ajo nuk e sheh kurrë orën, nuk ankohet kurrë se nuk ka fjetur gjithë natën, nuk dëshiron tjetër veçse ta shohë të shëruar, me çdo kusht”.

Që këtu, një sërë këshillash për t’u kujdesur për jetën shpirtërore, për marrëdhëniet personale me Zotin, për jetën familjare, për ta pastruar gjuhën nga fjalët fyerëse, nga vulgariteti, nga frazat e dekadencës së kësaj bote, për të kuruar plagët e zemrës me vajin e faljes, për ta bërë punën me entuziazëm, me përvuajtëri, me kompetencë, me pasion, me shpirtin që di ta falenderojë Zotin. E pastaj, edhe më: të shërohemi nga zilia, nga urrejtja e nga të gjitha ndjenjat negative, që e përpijnë paqen tonë të brendshme e na shndërrojnë në njerëz të trishtuar, të shërohemi nga ligësia, që na çon drejt hakmarrjes e nga dembelia, që na çon drejt eutanazisë ekzistenciale. Po edhe më: të kujdesemi për vëllezëri më të dobët, të moshuarit, të sëmurët, të uriturit, të pastrehët e të huajt, sepse për këtë do të gjykohemi. E së fundi, të kujdesemi që Krishtlindja të mos jetë festë konsumizmi, por festë e gëzimit, sepse pranojmë Zotin në Betlehemin e zemrës.

Pa letër, Papa Françesku shtoi:

“Të kujdesemi. Të kujdesemi për shumë gjëra. Secili prej nesh mund të mendojë: ‘Për çfarë duhet të kujdesem më shumë?’. Mendohuni e pastaj: ‘Sot po kujdesem për këtë gjë’. Por sidomos, kujdesuni për familjen! Familja është thesar, fëmijët janë thesar. Një pyetje, që prindërit e rinj mund t’ia bëjnë vetes: ‘A kam kohë për të luajtur me fëmijët, apo jam gjithmonë i impenjuar, apo e impenjuar, e nuk kam kohë për fëmijët?’. Po jua lë këtë pyetje. Luani me fëmijët: është kaq bukur. Kjo do të thotë të mbjellësh farën e së ardhmes”.

SHKARKO APP