Papa Françesku: Ruhuni nga diktatura që të nxit veç të bësh, botës i duhet mëshira!

Në lutjen e Engjëllit Françesku u kujtoi besimtarëve, shoqërisë e edhe Kishës rrezikun e rënies viktima të aktivizmit, tejet të shqetësuar për gjërat që duhen bërë e rezultatet e tyre, duke humbur nga sytë çka është më e rëndësishme: “Të mësohesh për të pushuar, pohon, të nxit t’i shikosh me mëshirë nevojtarët e të humburit e kësaj bote”. Në përfundim të katekizmit Papa kërkon armëpushim për luftërat në vijim gjatë Lojrave Olimpike e Paraolimpike të Parisit.

Ungjilli i kësaj së diele nga shën Marku (Mk 6,30-34) – kujtoi Papa në katekizëm, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar sot në mesditë në Shehsin e Shën Pjetrit – tregon se apostujt, pasi u kthyen nga misioni, mblidhen rreth Jezusit dhe i tregojnë gjithçka kanë bërë. E ai u thotë: “Ndahuni, ju vetëm, në një vend të shkretë dhe pushoni paksa” (v. 31). Po njerëzit, që i ndjekin me sy ngado që shkelin, i kuptojnë lëvizjet e tyre e, kur zbresin nga barka, Jezusi gjen turmën që e pret, ndjen dhembshuri dhe fillon ta mësojë (shih v. 34):

“Pra, nga njëra anë ftesa për pushim e, nga ana tjetër, dhembshuria për turmën. Duken si dy gjëra të papajtueshme, por përkundrazi shkojnë së bashku: pushimi dhe dhembshuria”.

Ky, shpjegimi i Papës, që na kujton, as më pak as më shumë, pushimet e mëkëmbësit të Krishtit mbi tokë, që nuk e njeh pushimin. Le të përqendrohemi në këtë krah për një çast.

Paralajmërim për jetën tonë, për korpin e shpirtin

Jezusi – vijoi të kujtojë Papa në lutjen e Engjëllit të Zotit, në këtë ditë të përvëluar verore – shqetësohet për lodhjen e dishepujve. Ndoshta ndjen një rrezik që mund ta shqetësojë edhe jetën tonë, edhe apostullimin tonë kur, për shembull, entuziazmi në kryerjen e misionit, si dhe roli dhe detyrat që na janë besuar, na bëjnë viktima të aktivizmit, shumë të shqetësuar për punët që duhen kryer dhe rezultatet e tyre. Pastaj ndodh që ne acarohemi dhe humbasim nga sytë çka është themelore, duke rrezikuar të shterojmë energjinë tonë dhe të lodhemi në trup e në shpirt:

“Është një paralajmërim i rëndësishëm për jetën tonë, për shoqërinë tonë shpesh e burgosur e nxitimit, por edhe për Kishën e për shërbimin baritor: kujdes nga diktatura e të bërit!”.

Jezusi nuk e propozon kurrë ikjen nga bota

Njëkohësisht, pjesa tjetër e propozuar nga Jezusi nuk është ikje nga bota, tërheqje në rehatinë vetjake; përkundrazi, kur Zoti përballet me njerëz të humbur, ndjen dhembshuri. E kështu nga Ungjilli mësojmë se këto dy realitete – prehja dhe dhembshuria – janë të lidhura: vetëm nëse mësojmë të pushojmë, mund të kemi edhe dhembshuri:

“Mund të kemi një vështrim të dhembshur, i cili është në gjendje t’i kuptojë nevojat e të tjerëve, vetëm nëse zemra jonë nuk konsumohet nga ankthi i të bërit, nëse dimë të ndalemi dhe, në heshtjen e adhurimit, të marrim Hirin e Zotit”.

Pyetje vetvetes, për të menduar edhe përgjigjen…

Prandaj, të dashur vëllezër dhe motra – i kujtoi Papa turmës së besimtarëve që digjej nën diellin e zjarrtë, pa e ndjerë fare përvëlimin – mund të pyesim veten: a di të ndalem gjatë ditëve të mia? Di të gjej një çast për të qenë me vetveten e me Zotin, apo nxitohem gjithnjë, për gjithçka? A di të gjejë pak “shkretëtirë” të shpirtit, në mes të zhurmës së korpit? Le t’i bëjmë këto pyetje, sidomos tani që është verë.

Premtime, për t’u mbajtur

Le të përpiqemi – vijoi të na kujtojë Papa – të ngadalësojmë, të ndalemi paksa për të soditur natyrën, për të shkëmbyer dy fjalë me njerëzit që duam e, sidomos, të mos e harrojmë kurrë dialogun me Zotin. Kjo do të na bëjë njerëz të vëmendshëm dhe të aftë për mëshirë e dhembshuri. Kjo, e ndihma e Nënës së Krishtit – porositi në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit Papa:

“Shenjtja Mëri na ndihmoftë të ‘pushojmë në Shpirtin Shenjt’ edhe në mes të të gjitha punëve tona të përditshme e të jemi gjithnjë të gatshëm e të dhembshur për të tjerët”.

R.SH. / Vatikan

SHKARKO APP