Papa Leoni XIV: Një shtet palestinez është zgjidhja e vetme për paqen me Izraelin
Një shtet palestinez është “zgjidhja e vetme” për konfliktin disa dekadash me Izraelin, deklaroi Papa Leoni XIV, duke treguar kështu se qëndron në linjën e deritanishme të Vatikanit.
Papa i parë amerikan bëri këto komente për gazetarët gjatë një fluturimi nga Turqia për në Liban, ku përmbyllet turi i tij i parë jashtë kufijve që prej marrjes së drejtimit të Kishës Katolike.
“Ne e dimë që në këtë moment, Izraeli nuk e pranon këtë zgjidhje, por e shohim atë si të vetmen që mund të ofrojë një zgjidhje finale për konfliktin e përjetuar nga të dyja palët. Ne jemi gjithashtu miq me Izraelin dhe përpiqemi që me të dyja palët të kthehemi në një zë ndërmjetësues që mund t’i ndihmojë ata të arrijnë një zgjidhje me drejtësi për të gjithë”, tha Papa.
Gjatë qëndrimit në Turqi, Papa shmangu çdo përmendje të drejtpërdrejtë të luftës së Izraelit në Gaza, por theksoi se Ankaraja mund të luajë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e konflikteve rajonale, përfshirë edhe luftën në Ukrainë.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përsëritur kundërshtimin e tij ndaj krijimit të një shteti palestinez, edhe pasi aleati më i madh i Izraelit, Shtetet e Bashkuara, dha shenja mbështetjeje për mëvetësinë palestineze.
Papa Leoni XIV ishte në Turqi nga e enjtja deri të dielën, në udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit që nga zgjedhja e tij në maj si udhëheqës i Kishës Katolike me 1.4 miliard anëtarë. Gjatë vizitës, ai paralajmëroi se e ardhmja e njerëzimit është në rrezik për shkak të numrit të pazakontë të konflikteve të përgjakshme në botë dhe dënoi dhunën në emër të fesë.
Turqia, një vend kryesisht mysliman, është gjithashtu shtëpia e Patriarkut Ekumenik Bartolomeu, udhëheqësit shpirtëror të 260 milionë të krishterëve ortodoksë në botë.
KOHA JONË SONDAZH

