Para bisedimeve me SHBA-në, Putini këmbëngul në kërkesat territoriale ndaj Ukrainës
Presidenti Vladimir Putin ka përsëritur kërkesat e tij thelbësore për përfundimin e luftës në Ukrainë, duke theksuar se Rusia do t’i ulë armët vetëm nëse trupat e Kievit tërhiqen nga territori që pretendon Moska.
Prej kohësh, Putini ka bërë presion për njohjen ligjore të territoreve ukrainase që Rusia i ka marrë me forcë. Këto përfshijnë gadishullin e Krimesë, aneksuar ilegalisht më 2014, dhe Donbasin, i përbërë nga Luhansku dhe Donetsku, të cilin Moska tani e mban të pushtuar në pjesën më të madhe.
Për Kievin, i cili e përjashton dorëzimin e pjesëve të Donbasit që ende i kontrollon, shpërblimi i agresionit rus është i papranueshëm.
Duke folur me gazetarët në Kirgistan, Putini akuzoi Kievin se dëshiron të luftojë “deri në ukrainasin e fundit” – gjë për të cilën tha se Rusia ishte “në parim” po ashtu e gatshme. Ai përsëriti se Rusia ka iniciativën në fushëbetejë dhe se luftimet do të mbaronin vetëm kur trupat ukrainase të tërhiqeshin. “Nëse nuk tërhiqen, do ta arrijmë këtë me forcën e armëve”, tha ai.
Megjithatë, përparimet e ngadalta të Rusisë në Ukrainën lindore kanë ardhur me kosto të madhe njerëzore. Sipas Institutit për Studimin e Luftës me bazë në SHBA, me këtë ritëm Moskës do t’i duheshin pothuajse dy vjet të tjera për të pushtuar pjesën tjetër të rajonit të Donetsk-ut.
Deklaratat e së enjtes ishin hera e parë që Putini adresoi lëvizjet e ethshme diplomatike të javës së fundit, ku SHBA-ja dhe Ukraina zhvilluan diskutime intensive mbi një plan paqeje të hartuar në tetor nga zyrtarë amerikanë dhe rusë.
Plani, dukshëm i anuar drejt kërkesave të Moskës, u rishikua më pas. Megjithatë, mendohet se ai nuk e adreson çështjen e territoreve të pushtuara, e cila, krahas garancive të sigurisë për Ukrainën, është pika më e madhe e mosmarrëveshjes mes Moskës dhe Kievit.
Putini tha se draft-plani i ri i është paraqitur Rusisë dhe mund të bëhet “baza” për një marrëveshje të ardhshme për t’i dhënë fund luftës. Sidoqoftë, ai shtoi se ishte “absolutisht e nevojshme” të diskutoheshin “disa pika specifike që duhen formuluar në gjuhë diplomatike”.
Pyetur mbi mundësinë që Krimea dhe Donbasi të njihen si nën kontroll de fakto rus, por jo ligjërisht, Putini tha: “Kjo është pika e diskutimit tonë me homologët amerikanë”.
Ai konfirmoi se një delegacion amerikan me të dërguarin special Steve Witkoff pritej në Moskë në gjysmën e parë të javës tjetër. Presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve se Witkoff mund të shoqërohet në Moskë nga dhëndri i tij, Jared Kushner.
Ndërkohë, këshilltari kryesor presidencial i Ukrainës, Andriy Yermak, tha se Sekretari amerikan i Ushtrisë, Dan Driscoll, pritet të vizitojë Kievin më vonë gjatë javës.
Të mërkurën, Trump tha se kishte “vetëm disa pika mosmarrëveshjeje të mbetura” mes Rusisë dhe Ukrainës, duke treguar se çdo takim me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky varej nga arritja e një marrëveshjeje paqeje.
Gjatë komenteve, Putini shprehu përsëri përbuzjen për udhëheqjen ukrainase, të cilën e konsideroi jolegjitime. Prandaj, shtoi ai, ishte “e padobishme” të nënshkruhej ndonjë dokument me ta. Ukraina është nën ligjin ushtarak që nga pushtimi i plotë rus në shkurt 2022, prandaj nuk ka mundur të mbajë zgjedhje. Më herët këtë vit, parlamenti ukrainas votoi unanimisht për të rikonfirmuar legjitimitetin e Presidentit Zelensky, mandati i të cilit përfundoi në pranverë.
Putini hodhi poshtë edhe paralajmërimet e liderëve evropianë se Rusia mund të sulmojë Evropën në dekadat e ardhshme. “Kjo na tingëllon vërtet qesharake”, tha ai.
Shtëpia e Bardhë dhe Donald Trump janë shprehur optimistë për shtysën e fundit diplomatike për paqe, por evropianët kanë shprehur vazhdimisht skepticizëm nëse Putini synon vërtet t’i japë fund luftës. Të mërkurën, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, akuzoi Rusinë se ruan një mentalitet të pas Luftës së Dytë Botërore dhe e sheh Evropën si “sferë influence” ku kombet sovrane mund të “copëtohen”.
KOHA JONË SONDAZH

