Parlamenti Europian nuk e njeh Lukashenkon si President

Parlamenti Europian ka bërë thirrje për sanksione kundër presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko, duke dënuar në të njëjtën kohë dhunën e përdorur mbi protestuesit të cilët prej muajit gusht demonstrojnë në rrugët e kryeqytetit Minsk dhe në shumë qytete të vendit.

Në një rezolutë të miratuar sot me 574 po, 37 jo dhe 82 abstenime, Parlamenti Europian hodhi poshtë rezultatet zyrtare të të ashtuquajturave “zgjedhje presidenciale” të cilat u zhvilluan në Bjellorusi më 9 gusht, pasi ato u mbajtën “në shkelje flagrante të standardeve të njohura ndërkombëtarisht”.

Parlamenti Europian gjithashtu bëri thirrje për zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur, të cilat do duhet të zhvillohen nën “mbikëqyrjen ndërkombëtare” dhe “mbështet qytetarët bjellorusë që demonstrojnë për liri dhe demokraci”.

Lukashenko i cili bashkë me 30 zyrtarë është vënë në shenjestër të sanksioneve të BE-së, që e konsideron atë president jo legjitim të Bjellorusisë, pasi po mban pushtetin me vota të manipuluara, akuzoi sot Perëndimin se po përpiqet për të shkatërruar vendin. Ai u shpreh se SHBA dhe satelitët e tyre, si Polonia, Lituania, Republika Çeke dhe Ukraina po bëjnë përpjekje bashkë me opozitën për të organizuar revolucion.

SHKARKO APP