Pas tërmetit acari “than” kroatët
Janë me qindra familjet kroate që këto ditë dimri po i kalojnë në shtëpi-kontejner, në furgon apo strehë të tjera të përkohshme.
Ata janë viktimat e tërmetit të 29 dhjetorit me magnitudë 6,2 që rrënoi banesat dhe vrau 7 veta, mes tyre një 13-vjeçare.
Në epiqendrën e tërmetit, në qytezën Sisak, ku papunësia arrin dyfishin e nivelit kombëtar, jetojnë ndër më të varfrit e vendit, tashmë edhe mes acarit.
“Kam frikë gjithë kohën, edhe kur dridhem apo jo, brenda meje kam frikë,
fatkeqësisht kam kaluar vështirësi në jetë, luftën, operacionet kirurgjike, por kjo tani është më e keqja”
Situata me të ftohtin nuk paraqitet e mirë as në qytezën tjetër të Petrinjës, po ashtu të shembur nga tërmeti.
Bora atje ka mbuluar çatitë ndërsa banorët e shpërngulur vazhdojnë të jetojnë me ndihma.
“E dimë që këta njerëz kanë nevojë për një pjatë të ngrohtë, kur temperaturat shkojnë në minus. Unë vetë ia siguroj nga restoranti im.“
“Sigurisht që hamë bukë, ushqime të konservuara, por të ngrënit si dikur me lugë është tjetër gjë. Na duket sikur kemi kapur lotarinë.“
Autoritetet thonë se rreth 50 mijë kroatë kanë pësuar dëmtime në banesa nga tërmeti i fundit, dhe po hetohet mundësia që ato të jenë ndërtuar në shkelje të rregullave.
Për banorët që i mbijetuan tragjedisë, ndërkohë, mesazhi mbetet ai i shpresës.
“Vetëm kjo nuk quhet jetë normale. Por gjërat materiale do të kompensohen, ajo që ka më rëndësi është jeta e njeriut, që jemi gjallë dhe nuk u lënduam.”