Pas zgjedhjeve në SHBA, 100 mijë raste me Covid-19 në një ditë
Edhe pse Amerika dhe bota është në ethe për të mësuar se kush do ta drejtojë Shtëpinë e Bardhë për katër vitet e ardhshme, rastet e infektimit me Covid-19, vazhduan të shënojnë rritje. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 99,660 raste të reja u konfirmuan të mërkurën – shifër kjo rekorde brenda një dite.
Në spitalet e SHBA-së aktualisht janë të shtrirë mbi 50,000 pacientë me Covid-19. Shifra paraqet rritje për rreth 64% nga fillimi i tetorit. Shkalla mesatare e viktimave ditore gjithashtu është rritur, megjithëse mbetet më e ulët sesa në fillimet e pandemisë, në muajin mars.
SHBA-ja “nuk mund të ishte pozicionuar më dobët”, me mot të ftohtë që i shtyn njerëzit të qëndrojnë brenda, tha drejtori i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive, Anthony Fauci, në një intervistë për gazetën Washington Post. Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi. Numri i përgjithshëm i të infektuarve atje është afër 9.5 milionë, ndërsa i viktimave ka kaluar 233,000.