Pasojat e koronavirusit në Europë/ 1 milion të papunë në dy javë, dhe është vetëm maja e ajsbergut!
Të paktën një milion njerëz kanë humbur punën e tyre gjatë dy javëve të fundit në Europë sipas të dhënave më të fundit nga Konfederata e Sindikatës Europiane (ETUC). Shifra befasuese vjen nga raportet e paraqitura nga sindikatat në të gjithë Europën, dhe përfshin vetëm punonjës kontraktues që kanë aplikuar për përfitime të papunësisë.
“Ajo që ne po përjetojmë në këtë moment, veçanërisht në javën e fundit, është se numri i kompanive që zhduken nga tregu po rritet në mënyrë dramatike,” shpjegon Luca Visentini, Sekretari i Përgjithshëm i ETUC.
“Mijëra e mijëra ndërmarrje të vogla dhe të mesme që janë bllokuar nuk do të mund të kthehen në treg sepse po falimentojnë. Dhe nga ana tjetër ne kemi dëshmitarë të paktën një milion punëtorë që u deklaruan papunësinë nëpër vendet e ndryshme të Europës’’
Ndërkohë, numri i vërtetë i të papunëve mund të jetë edhe më i lartë nëse marrim parasysh edhe ata individë që punojnë në të zezë. Javën e kaluar Organizata Ndërkombëtare e Punës raportoi se humbjet e mundshme të vendeve të punës mund të arrijnë në 36 milion. Pjesë të mëdha të këtyre humbjeve do të ndodhin në Europë nëse Europa nuk merr masa urgjente rreth kësaj emergjence.
Sindikatat po i bëjnë thirrje BE-së të kursejë vendet e punës me sistemet e zëvendësimit të të ardhurave. Që kjo të funksionojë, nevojitet një fond prej 200-400 miliardë eurosh. Përndryshe, menaxhimi i krizave më vonë do të kushtojë shumë më tepër, sipas Visentini.
BE tashmë ka njoftuar se ata do t’i lejojnë vendet anëtare të përdorin fondet tashmë ekzistuese, me vlerë 37 miliardë euro. Por komisioneri i BE-së për ekonominë konfirmon që ky mund të jetë vetëm hapi i parë.