PDSH: BDI të vret natën dhe të qan ditën

PDSH ka drejtuar akuza në drejtim të BDI-së dhe zyrtarëve të saj lidhur me përgaditjen dhe miratimin e ligjeve antishqiptare. 

“Më në fund e kuptuam rolin parësor të BDI-së në Qeveri. Më në fund u bë e qartë se BDI, përmes ministrave dhe zëvendës ministrave të saj në qeveri, trafikon me të madhe ligje antishqiptare. Edhe Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftim dhe Propozim ligji për plotësimin e Ligjit për paraqitje të vendbanimit dhe vendqëndrimit, njësoj si ndryshimet Kushtetuese, si Ligji për Avokatin e Popullit, njësoj si Stema, janë vetëm disa prej ligjeve që fillimisht përgatiten në laboratorët e ministrave dhe zëvendës ministrave të BDI-së dhe pastaj trafikohen nga qeveria në Parlament për tu miratuar. Por nëse mendoni që krimi i tyre përfundon këtu, e keni gabim. Ende nuk i njihni mirë këta të BDI-së”, theksoi deputeti i BDI-së, Gazmend Aliu.
Sipas tij, BDI-ja vazhdon me sistemin e saj te vjetër të punës, ministrat e BDI-së “vrasin” natën e deputetët e BDI-së qajnë ditën.

“Grupi parlamentar i BDI-së , në vend që të kërkojë llogari nga ministrat e tyre për këto ligje skandaloze, ata mundohen të aktrojnë, ti kamuflojnë këto ligje antishqiptare, bëjnë kurthe antikombëtare, bëjnë zhurmë kot dhe në fund edhe pse çdokush e ka kuptuar tani që këto ligje janë të dëmshëm sidomos për shqiptarët, këta të BDI-së kërkojnë të përfitojnë maksimalisht nga ky trafikim”, deklaroi deputeti Aliu.

Ai nënvizoi më tej se ministrat e BDI-së po miratojnë në vazhdimësi ligje antishqiptare. 
“Dhe gjithë këtë mundohen ta kthejnë në patriotizëm, dhe pa pikë turpi përpiqen t’ua mbushin mendjen shqiptarëve se propozimi që është menduar njëherë nga zëvendës ministri i BDI-së, që ka kaluar në seancën qeveritare ku është diskutuar dhe miratuar nga ministrat e BDI-së, që u fut në seancë plenare me aminin e deputetëve të BDI-së që mundësuan kuorumin, tani bëjnë “sehir”(shou)  karshi shqiptarëve sikurse do të pengojnë miratimin e tyre me amendamente”, theksoi deputeti Gazmend Aliu. 

Ai tha se PDSH vendosmërisht është kundër këtyre ligjeve. Amendamentet nuk mund ti përmirësojnë këto ligje e as të parandalojnë miratimin e tyre, mos i gënjeni kot shqiptarët. “E vetmja zgjidhje që parandalon shfarosjen e mbi 200 mijë mërgimtarë shqiptarë, ashtu si parashohin ligjet tuaja, është tërheqja e menjëhershme e tyre dhe bartja e përgjegjësisë te ministrat e BDI-së dhe vet BDI-ja që  lejojnë trafikimin e përditshëm të ligjeve antishqiptare”, nënvizoi Aliu. 

SHKARKO APP