PDSH: Maqedonia t’i kërkojë ndjesë Shqipërisë për shpifjet e Zaevit

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) kërkoi sot që Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë t’i kërkojë falje qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, pas intervistës së djeshme televizive të liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev.

Sipas deputetit të PDSH-së, Bekim Fazliu, ”kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, trashëgimtari politik i
ish-presidentëve Kiro Gligorov dhe Branko Cërvenkovski, si një mashtrues politik tregoi një urrejtje të madhe kundrejt shqiptarëve jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri dhe në Kosovë”.

”Zaev, ashtu siç tentoi që të nxijë opozitën shqiptare në Maqedoni, PDSH-në, pa asnjë lloj argumenti, të njëjtën gjë bëri edhe me liderët në Shqipëri dhe në Kosovë, duke u etiketuar përcaktime tendencioze politike… gjithë elitës politike shtetërore shqiptare”, deklaroi Fazliu.

”Zaev ka falsifikuar, ka mashtruar, ka montuar dhe ka fantazuar. Ai duhet t’u rrijë larg shqiptarëve”, theksoi Fazliu.

”PDSH-ja kërkon nga Zoran Zaev që t’u drejtohet institucioneve gjyqësore ose atyre shëndetësore”, shtoi ai.

SHKARKO APP