Për herë të parë nga nisja e luftës, Stoltenberg në Kiev: E ardhmja e Ukrainës është në NATO
”E ardhmja e Ukrainës është NATO”, me këtë premtim shkeli për herë të parë në Kiev qe prej shpërthimit të luftës shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg. “E ardhmja e Ukrainës është në familjen euro-atlantike. E ardhmja e Ukrainës është në NATO. Të gjithë aleatët janë dakord mbi këtë”,-tha ai.
Stoltenberg theksoi se iniciativa për mbështetjen shumëvjeçare të Ukrainës me armatime, do të ndihmojë vendin të kalojë nga pajisjet dhe doktrinat e epokës sovjetike, tek standardet e NATO-s.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, presidenti Volodimir Zelensky tha se kishte ardhur koha që NATO të merrte vendimin politik për të ftuar Ukrainën që t’i bashkohej aleancës ushtarake. Samiti i NATO-s në Vilnius gjatë muajit korrik, mund të bëhej historik, sugjeroi Zelensky, teksa konfirmoi se ishte ftuar të merrte pjesë.
“Nuk ka asnjë pengesë të vetme objektive për vendimin politik për të ftuar Ukrainën në aleancë dhe tani, kur shumica e njerëzve në vendet e NATO-s dhe shumica e ukrainasve mbështesin anëtarësimin në NATO, është koha për vendimet përkatëse”,-deklaroi lideri ukrainas.