“Përfitimet tejkalojnë rreziqet e mundshme”, Kanadaja autorizon vaksinën me një dozë të “Johnson & Johnson”
Qeveria kanadeze njoftoi sot autorizimin e një vaksinë të katërt kundër COVID-19, atë të laboratorit amerikan “Johnson & Johnson” me një dozë
Kanadaja, që tashmë ka dhënë dritën jeshile për vaksinat e “Pfizer/BioNTech”, “Moderna” dhe “AstraZeneca”, ka porositur deri në 38 milionë doza të vaksinës “Johnson&Johnson, që është e vetmja deri tani me një dozë midis atyre të miratuara kundër COVID-19 në vend.
“Ne arritëm në përfundimin se ka prova të forta për të treguar se përfitimet e kësaj vaksine tejkalojnë rreziqet e mundshme”, tha Dr. Supriya Sharma, Këshilltare e Lartë për Shëndetësinë në Kanada.
“Aktualisht, ne i konsiderojmë të gjitha vaksinat e autorizuara të jenë efikase”, shtoi Dr. Marc Berthiaume, Drejtor i Byrosë së Shkencave Mjekësore për Health Canada.
Sipas Sharma, vaksina është 66% efikase në nivel global dhe 72% në SHBA, që e miratuan atë të shtunën. Autoritetet shëndetësore e miratuan atë për personat 18 vjeç e lart.
Një përparësi e rëndësishme logjistike, kjo vaksinë mund të ruhet në temperature frigoriferi (2 gradë deri në 8 gradë Celcius) për deri në tre muaj.