Përgjimet zbulojnë fakte të tjera për vdekjen e gazetarit

 

Social Demokratët maqedonas publikuan të enjten përgjime të reja, që sipas tyre tregojnë se si autoritetet fshehën prova kyçe rreth vdekjes së gazetarit të mirënjohur Nikola Mladenov në vitin 2013.

Në konferencën e 30 për shtyp mbi përgjimin e paligjshëm në Maqedoni, Social Demokratët prezantuan  biseda të reja që sfidonin vendimin final, i cili tha se Mladenov vdiq në një aksident rrugor.

“Autoritetet e drejtuan investigimin në mënyrë jo profesionale dhe fshehën me qëllim informacion kyç nga publiku,” tha lideri Zoran Zaev, në një konferencë për shtyp.

Ai tha se kishte pasur shumë pasaktësi dhe bëri thirrje për një investigim.

Partia qeverisëse VMRO DPMNE reagoi menjëherë ndaj konferencës për shtyp dhe shprehu mbështetjen për një hetim të ri për çështjen dhe mirënjohje për Zaev që tregoi me anë të përgjimeve ‘se autoritetet nuk ishin të përfshira në vdekjen tragjike të Mladenov’.

Kryeministri Nikola Gruevski gjithashtu publikoi një deklaratë në të cilën tha se përgjimet tregonin se nuk kishte konspiracion dhe se autoritetet nuk kishin të bënin me aksidentin. Ai tha gjithashtu se nuk kishte dyshime se investigimi u krye siç duhet por se mbështeste një hetim të ri për t’i vënë kapak çështjes.

Mladenov, një mbrojtës i mirënjohur i lirisë së fjalës në Maqedoni, vdiq më 27 mars 2013 kur makina e tij ra në një kanal në autostradën në hyrje të Shkupit.  Policia dhe trupi hetimor deklaruan shpejt se ngjarja ishte aksident. Megjithatë, natyra e çorientuar e raportit ngriti dyshime për manipulim.

Në përgjimet e së enjtes u shfaqën zërat e ministres së brendshme Gordana Jankuloska, zëdhënësit të policisë Ivo Kotevski, si dhe Martin Protugjer, shefi i kabinetit të kryeministrit Gruevski.

Zaev tha se gjashtë pjesë të informacionit rreth vdekjes së Mladenov në raportin zyrtar të korrikut 2013 ishin zbuluar si false.

“Kjo ngre pyetje nëse çështja është pranë aksidentit rrugor ose ka pasur ndikime të tjera që  dikush mund ta ketë shkaktuar atë,” tha Zaev.

Në bisedën e parë mes Jankuloskës dhe bashkëpunëtorëve të saj, ministrja konfirmoi se trupi ishte gjurmuar në dy orë, duke përdorur sinjalin e celularit të tij. Megjithatë, autoritetet kanë këmbëngulur se ai nuk e kishte celularin. Në bisedat e mëpasshme, Jankuloska dhe zëdhënësi i policisë Kotevski ranë dakord që grupi hetimor kishte bërë shumë gabime.

Sipas opozitës policia fshehu në investigim dhe raportin zyrtar një tjetër fakt kyç që janë gjurmët e bojës së kuqe dhe të zezë të gjetura në pjesën e pasme të makinës së Mladenovit.

Kotevski dhe Jankuloska thonë se boja vinte nga një makinë tjetër dhe se informacioni duhej të mbahej i fshehtë.

Zyrtarët gjithashtu fshehën faktin se kamerat e autostradës pranë zonës së përplasjes nuk kishin funksionuar.

Zaev tha se kamerat në autostradë operojnë nga një agjenci sigurie private, SGS, që në bisedat e mëparshme është lidhur me shefin e policisë sekrete Saso Mijalkov.

Në një bisedë tjetër Kotevski dhe Jankuloska dëgjohen teksa tallen me vdekjen e gazetarit. Kotevski shfaqet t’i thotë Jankuloskës se ai ka udhëzuar një pronar media pranë vetes të çojë një mesazh te një gazetar me pyetje si “kush e ka radhën?” dhe “çfarë i ka ndodhur Nikolces?” Ata bëjnë shaka se si do të mund të vinin në lojë gazetarë të tjerë në ceremoninë e varrimit.

Raporti zyrtar i vdekjes kishte edhe pasaktësi të tjera në lidhje me largësinë e trupit nga automjeti dhe gjurmët e gjakut dhe xhamave.

Social Demokratët kanë zbuluar përgjime sekrete që prej shkurtit. Sipas tyre kryeministri Gruevski ka orkestruar mbikëqyrje të jashtëligjshme të mijëra personave.

SHKARKO APP