Përkeqësohen përmbytjet në Belgjikë, shkon në 20 numri i viktimave

Ka shkuar në 20 numri  i viktimave nga përmbytjet në Belgjikë. Ministrja e Brendshme belge, Annelies Verlinden, ka thënë të premten se ekipet e shpëtimit janë duke tentuar të identifikojnë edhe 20 persona të zhdukur.

Kryeministri belg, Alexander De Croo, ka thënë se Belgjika do ta shpallë të martën ditë zie, për të reflektuar “për këto humbje të mëdha njerëzish”.

“Ky do të jetë edhe moment për të treguar solidaritet, afërsi dhe unitet”.

De Croo, ka thënë se organizimet për të shënuar një festë kombëtare më 21 korrik, do të anulohen, pasi kjo datë vjen në kohën kur “shumë njerëz do të jenë duke u përballur me situatë tejet të vështirë”.

Zyrtarë gjermanë kanë raportuar deri më tani 106 vdekje nga vërshimet që kanë prekur edhe disa rajone të Gjermanisë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë ka njoftuar se deri në tani nuk është raportuar për viktima apo të plagosur, me shtetësi kosovare, në zonat e përmbytura në disa shtete të Evropës.

Përmes një komunikatë për media, kjo Ministri ka thënë se nga informacionet e siguruara në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Luksemburg dhe Zvicër, misionet diplomatike nuk kanë hasur në diçka të tillë.

SHKARKO APP