Përmasa shqetësuese të pandemisë në Zvicër
Siç ishte parashikuar edhe gjatë javës së kaluar, trendi shqetësues i rritjes së numrit të rasteve pozitive me koronavirus ka vazhduar edhe gjatë fundjavës.
Që nga fundi i shtatorit, BAG nuk raporton gjatë të shtunës dhe të dielës, ashtu që rastet e regjistruara gjatë fundjavës, i publikion të hënën.
Kështu, Zyra Federale e Shëndetit Publik ka raportuar 4068 raste të reja që kanë rezultuar pozitive për virusin corona në tri ditët e fundit.
Tani, mesatarja 7 ditore e infeksioneve është 1071 ose plot 153 për qind më shumë se në javën e kaluar.
Shkalla mesatare pozitive e 7 ditëve të fundit ka arritur në 9.1 për qind që do të thotë se pragu kritik prej 5 për qind është tejkaluar tashmë shumë.
Numri i testeve të kryera në 7 ditët e fundit ka qenë 12,134 teste në ditë dhe kështu është rritur për 29 për qind krahasuar me javën e mëparshme, përcjell albinfo.ch
BAG po ashtu ka raportuar edhe 7 raste të reja të vdekjes. Pranimet në spital kanë qenë 15 persona në ditë ose 40 për qind më shumë se në javën e kaluar.