Përmbytje në shumë pjesë të Anglisë, kaos në rrjetin hekurudhor
Zona të mëdha janë kthyer në liqene në pjesë të ndryshme të Anglisë pas orëve të shiut të dendur të enjten, që pasoi edhe shiun e dendur nga stuhitë Babette, Ciaran, Gerrit dhe Hank që nga nëntori.
Probleme të theksuara janë shkaktuar nga vërshimi i lumit Trent në Nottinghamshire, por edhe i kanaleve të Thames në Londër.
Në Hackney Wick, në lindje të Londrës, 50 persona duhej të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre nga zjarrfikësit, ndërsa shtëpitë ku jetonin kryesisht të moshuar në brigjet e Trentit u evakuuan gjithashtu.
Në total vlerësohet se janë përmbytur deri në një mijë banesa, ndërkohë që një anije që ishte ankoruar në Thames dhe funksiononte si lokal është fundosur.
Problemet në rrjetin hekurudhor të vendit janë të rëndësishme edhe për një ditë tjetër, me pjesë të rrjetit të përmbytura, shina të mbuluara me baltë dhe pemë të shkulura nga erërat.
Kompanitë e mëdha hekurudhore po paralajmërojnë për “ndërprerje të konsiderueshme” në oraret e tyre dhe u bëjnë thirrje pasagjerëve të kontrollojnë për anulime dhe vonesa përpara se të mbërrijnë në stacione.
Disa shkolla në qarqet përreth Londrës u mbyllën gjithashtu të premten për shkak të përmbytjeve.
Edhe pse kushtet e mëngjesit të sotëm janë ulur, pothuajse 650 paralajmërime dhe alarme mbeten në fuqi për përmbytje të mëtejshme pasi toka nuk mund të thithë më ujë. Në tre ditët e fundit sasia e ujit në disa vende ka kaluar 35 milimetra.
Sinoptikanët parashikojnë një përmirësim të kushteve të motit gjatë fundjavës.