Përmbytje të mëdha në Turqi/ Vdesin 4 persona, 11 të zhdukur
ANKARA
Katër njerëz kanë vdekur, nga përmbytjet në rajonin verior të Turqisë në Detin e Zi dhe 11 të tjerë kanë humbur, tha ministri i Brendshëm në vend, Sulejman Soylu.
Pamjet nga provinca veriore e Giresun treguan përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut, që rrënuan banesat dhe automjetet gjatë një rruge, duke i lënë të “ngrira” në baltë, raporton Reuters.
Duke folur para gazetarëve në Giresun, Soylu tha se operacionet e kërkimit dhe shpëtimit ishin duke u zhvilluar për të gjetur të zhdukurit. Ai tha se një nga të vdekurit është ushtar.
“Deri tani, 133 qytetarë janë shpëtuar”, tha Soylu. “Shteti ynë do të përpiqet sa të mundet të mbyllë plagët dhe të qëndrojë sa më pranë qytetarëve”, deklaroi ai.
Duke folur së bashku me Soylu, Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë Bekir Pakdemirli tha se reshjet e shiut në Giresun kishin tejkaluar mesataret për muajin gusht me 1.5 herë.
“Kjo është hera e parë që shikoj një përmbytje të tillë. Ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme, që e tillë ngjarje të mos ndodhë më”, tha Pakdemirli.
Presidenti Erdogan ka urdhëruar përdorimin e të gjitha burimeve shtetërore për të riparuar dëmet.