Përshkallëzim financiar: Rusia e quan të jashtëligjshëm planin e BE-së dhe nis padinë
Gjermania dhe disa shtete të tjera të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të krijojnë bazën ligjore që lejon marrjen e vendimeve me shumicë të kualifikuar, me qëllim shmangien e vetos nga vendet pro-ruse brenda unionit – veçanërisht Hungaria. Objektivi final është që asetet shtetërore ruse të ngrira në territorin e BE-së të përdoren për mbështetjen e Ukrainës.
Presidenca daneze e Këshillit të BE-së njoftoi se prioritet është të parandalohet bllokimi i lëvrimit të fondeve për Ukrainën. Aktualisht, fondet e Bankës Qendrore të Rusisë janë ngrirë në kuadër të sanksioneve të BE-së, të cilat rinovohen çdo gjashtë muaj. Ky rregullim ka penguar që paratë të përdoren për kredi afatgjata për Kievin, pasi ato, teorikisht, duhet t’i kthehen Rusisë pas përfundimit të luftës dhe vetëm nëse Moska pranon të paguajë reparacione.
Për të bërë të mundur përdorimin pa afat të këtyre mjeteve financiare, Gjermania dhe disa vende të BE-së po i referohen nenit 122 të Marrëveshjes për Funksionimin e BE-së. Ky nen parashikon miratimin e masave të domosdoshme në rast të vështirësive të mëdha ekonomike, duke përdorur votimin me shumicë të kualifikuar. Sipas BE-së, lufta e Rusisë kundër Ukrainës po shkakton sfida të rënda ekonomike për unionin dhe kërkon veprim urgjent.
Sipas draftit ligjor, kalimi i parave në Rusi duhet të parandalohet sa më shpejt për të kufizuar dëmet në ekonominë e BE-së. Vendimi pritet të shqyrtohet dhe të miratohet në samitin e ardhshëm të BE-së.
Ndërkohë, Banka Qendrore e Rusisë reagoi ashpër, duke deklaruar se planet e BE-së për përdorimin e aseteve të saj janë “të jashtëligjshme”. Ajo njoftoi se do të përdorë “të gjitha mjetet në dispozicion” për mbrojtjen e interesave të veta. Në një deklaratë zyrtare, banka bëri me dije se po padit institucionin financiar Euroclear i cili mban një pjesë të madhe të aseteve ruse në një gjykatë në Moskë, duke e akuzuar për “dëmtim të qëllimshëm”.
Zyrtarët rusë kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se çdo përdorim i aseteve të ngrira do të marrë “përgjigjen më të ashpër” nga Moska.
KOHA JONË SONDAZH

