Planet e fundit ambicioze të Osama Bin Ladenit
Nga David Ignatius*
Disa muaj para vdekjes së tij në maj të vitit 2011, Osama Bin Laden po diskutonte ndërmarrjen e disa lëvizjeve të reja – nga një armëpushim me Pakistanin, tek aleancat oportuniste me grupet xhihadiste, pjellë e Pranverës Arabe – në mënyrë që të mund të përqëndrohej në krijimin e asaj që ai e quante “balanca e frikës” në raport armikun e tij kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky imazh i heshtur, i një Bin Ladeni të çuditshëm, që drejton një “lojë të madhe” terroriste nga vendbanimi i tij i fshehtë në Abutabad të Pakistanit, del në dritë nga 8 dokumente të publikuara vetëm disa muaj më parë. Ato ishin deklasifikuar, për të forcuar padinë e qeverisë amerikane, kundër një pakistanezi me emrin Abid Naser, por duke marrë një vëmendje të dobët nga mediat. Naser u dënua në mars për rolin e tij në një komplot të dyshuar të AlKaedës, për shpërthimin e një bombe në metronë e Nju Yorkut. Por ato dokumente, meritojnë një vështrim më të afërt. Dokumentet e reja të Bin Ladenit, tregojnë se ky i fundit pa shanse të mira, që trazirat në vendet arabe, ofronin për AlKaedën dhe ishte duke lëvizur për t’i shfrytëzuar ato. Udhëheqja kryesore e AlKaedës, ishte tronditur jo pak nga sulmet dhe bombardimet e SHBA përmes dronëve të telekomanduar, por grupi kishte ende ambicje të mëdha, madje edhe në kohën kur zyrtarët amerikanë deklaronin se organizata ishte e rrënuar. Bin Ladeni i këtyre dokumenteve, po ripërpunonte ide të mëdha strategjike, por edhe po menaxhonte vendime mbi personelin dhe taktikat e kundërspiunazhit.
Në një pasazh, ai këshillon zëvendësin e tij, Atijah Abd alRahman, që t’i kushtojë më shumë vëmendje ndryshimeve klimatike që mund të ndikojnë në Somali, një vend kyç për rekrutimet e militantëve;ndërsa në letër tjetër, ai i propozon dërgimin e rekrutëve të AlKaedës në universitete, për të zotëruar teknologjitë e përparuara, nga të cilat mund të përfitonte grupi terrorist. Bin Laden, flet me zërin aristokratik të një terroristiintelektual, një version mysliman anarkist i shekullit të XIX, Mikail Bakunin. Në paragrafin e një mesazhi drejtuar Rahman, ai qëllimisht vë theksin tek përgatitja e “një operacioni të madh brenda Amerikës”. Në paragrafin pasues, ai pyet i gëzuar:”Nëse keni ndonjë vëlla që ka dije mbi poezinë, ju lutem na tregoni në lidhje me të”. Bin Laden dhe ndjekësit e tij, besonin në fillim të vitit 2011, se bota ishte duke lëvizur në rrugën e tyre, pavarësisht nga ngacmimet e sulmeve të telekomanduara nga amerikanët. Rahman shpjegoi: “Ne jemi duke ndjekur revolucionet arabe dhe ndryshimet që po ndodhin në këto vende”. Ai përmend Tunizinë, Egjiptin, Libinë, Jemenin dhe Sirinë, dhe thotë:”Në përgjithësi, ne mendojmë se këto ndryshime janë gjithëpërfshirëse, dhe me vullnetin e Zotit ka diçka të mirë në to”. Rahman i kërkoi shefit të tij të dërgojë një mesazh publik në lidhje me “dështimin e këtyre tiranëve”, duke shprehur solidaritet me protestuesit. “Ju mund të mbështesni revolucionet kundër shtypjes, korrupsionit, kriminalitetit, dhe tiranit”. Ai shpjegoi, se kishte dërguar operativë të AlKaidës në Libi, ku kishte “një rilindje aktive të xhihadit islamik”. Kjo prani xhihadiste, ndihmoi në organizimin e sulmit vdekjeprurës në konsullatën amerikane në Bengazi vitin që do pasonte. Edhe pse bin Laden po tentonte të përfitonte nga turbullira arabe, ai po konsideronte mundësinë e disa armëpushimeve lokale me Pakistanin dhe mes fraksioneve konfliktuese me njëratjetrën në Afrikën e Veriut. Rahman tha se operativët e tij ia kishin përcjellë këtë mesazh qeverisë pakistaneze, duke përfshirë kontaktet me ish shefin e inteligjencës Hamid Gul, dhe shkëmbimin e mesazheve me një zyrtar të lartë Taliban të quajtur Tajeb Aga (i cili më vonë do të takohet fshehurazi me Shtetet e Bashkuara). Rahman e përmbledh shkurtimisht ofertën për armëpushim ndaj Pakistanit:”Ju u bëtë pjesë e betejës, kur u hodhët në anën e amerikanëve. Nëse ju do të na lini rehat në punët tona, ne do t’iu lëmë të qetë”. Bin Laden u pajtua, duke vënë në dukje:”Ne duam të neutralizojmë këdo që mundim, gjatë luftës tonë me armikun tonë më të madh, Amerikën”. Asokohe, Shtetet e Bashkuara kishin filluar megociatat sekrete të paqes me talebanët. Gul thuhet se ia vuri në dukje këtë, kontaktit të tij me AlKaedën:”Ne po bëjmë presion mbi ta [Amerikën] për të negociuar me AlKaedën. . . (Dhe) se negocimi me talebanët, ndarazi nga AlKaeda është diçka e kotë”. Pjesa më interesante në këto dokumente, është pretendimi i Rahman se britanikët gjithashtu, ishin duke eksploruar mundësinë e arritjes së një paqeje të veçantë. Ai i tha Bin Ladenit, se sipas operativëve të Libisë në Britani, “inteligjenca britanike u tha atyre. . . se Anglia është gati të largohet nga Afganistani, nëse AlKaeda në mënyrë të hapur do të angazhohet për të mos lëvizur kundër Anglisë apo interesave të saj”.
Një zëdhënës i Ambasadës Britanike në Uashington, tha se “pretendimet janë plotësisht të pavërteta”. I ulur këmbëkryq në Abutabad, Bin Laden ishte fokusuar tërësisht në goditjen e Shteteve të Bashkuara “në zemrën e saj”. Ai vuri në dukje, se gjakderdhja e ngadaltë nuk po funksiononte:Vietnami kishte qenë shumë më i kushtueshëm për Amerikën, sesa Afganistani. Aleatët e AlKaidës, do të duhej të vrisnin 100 herë më shumë njerëz, që të barazonin numrin e vdekjeve në Vietnam. Ajo çfarë ishte e nevojshme, tha ai disa javë para vdekjes, ishte një tjetër “operacion i madh brenda Amerikës, që do të ndikojë tek siguria dhe nervat e 300 milionë amerikanëve”. AlKaeda dhe degët e saj, nuk e kanë arritur ende këtë qëllim.
"Washington Post"