Plani i Izraelit për aneksime të reja në Bregun Perëndimor. Katari riafirmon mbështetjen e ndaj palestinezëve

Para pak kohësh, kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se qeveria e tij do të ndërmarrë korrikun e ardhshëm, një aksion për aneksimin e një pjese të Bregut Perëndimor në tokat palestineze. Ky vendim që konsiderohet nga shumë vende të botës si i pamatur dhe me implikime shumë të rrezikshme për paqen në rajonin e Lindjes së Mesme, është kritikuar fort ndërkombëtarisht.

Në këtë kontekst, Shteti i Katarit ka riafirmuar dje qëndrimin e tij të vendosur në mbështetje të popullit palestinez në përpjekjet për të rifituar territorin dhe të drejtat e tij legjitime. Ky qëndrim u njoftua nga Ministri i Shtetit për Punë të Jashtme Sultan bin Saad Al Muraikhi gjatë takimit virtual të jashtëzakonshëm ministerial të Komitetit Ekzekutiv të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), që u mbajt këtë të mërkurë në lidhje me kërcënimin izraelit për aneksimin e një pjese të Bregut Perëndimor. Ai theksoi se OIC duhet të ketë një qëndrim të palëkundur për kauzën palestineze, pasi ajo konsiderohet si përparësia kryesore e Organizatës.

“Në një kohë kur bota është e zënë me shumë sfida, ndër të cilat edhe kriza e shkaktuar nga COVID-19, ajo nuk duhet të largojë vëmendjen nga rreziku që paraqet plani izraelit për të aneksuar një pjesë të territorit palestinez, duke përshpejtuar ritmin zgjerimit të kolonive atje me masa të padrejta e të paligjshme” – tha ai.

Ministri vuri në dukje pozicionin e përhershëm të Katarit që mbështet vendosjen e paqes në bazë të ligjit ndërkombëtar. Sipas tij, aneksimi izraelit të një pjese territoriale palestineze është një hap i pamatur që do të dëmtonte zgjidhjen për dy shtete, zgjidhje kjo e pranuar nga e gjithë bota si mënyra më e mirë për të arritur një paqe të qëndrueshme, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Ai tha se këmbëngulja e qeverisë izraelite për të ndërmarrë hapa të njëanshme që dëmtojnë shanset e paqes dhe nuk u shërbejnë interesave të askujt, është e refuzuar kategorikisht, jo vetëm nga palestinezët por nga mbarë bota.

OIC-ja duhet të mbajë qëndrim të vendosur dhe parimor për një zgjidhje gjithëpërfshirëse të çështjes palestineze në të gjitha aspektet e saj, e cila arrihet përmes negociatave midis dy palëve dhe bazohet në rezolutat ndërkombëtare për dy shtete, që përfshijnë krijimin e një Shteti të pavarur Palestinez në kufijtë e 1967, dhe me kryeqytet Jeruzalemin Lindor – tha ai. Ministri i Katarit theksoi se kjo nënkupton dhënien fund të pushtimit të tokave arabe, përfshirë Lartësitë e Golanit, territoret libaneze, dhe garantimin e të drejtave absolute të popullit palestinez, si dhe një zgjidhje të drejtë për çështjen e kthimit të refugjatëve.

Ai tha se OIC-ja mbështet përpjekjet e sinqerta që kërkojnë një zgjidhje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme të paqes, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara për krijimin e dy shteteve (atë palestinez krahas shtetit Izraelit). Ministri për Punë të Jashtme theksoi se praktikat që shkelin ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara, sikurse aneksimi i paligjshëm i territoreve, tjetërsimi i statusit të Jeruzalemit, ndryshimet demografike dhe përdorimi i dhunës, janë pengesa reale për një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare në Lindjen e Mesme.

SHKARKO APP