”Polic i mirë, polic i keq”, politika për emigrantët në Britani. Dallimi mes Sunak dhe Braverman
Jon Craig, gazetari i ”Sky News”, thotë se politika që po bëhet nga kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak dhe Suella Braverman është si ”loja polic i mirë, polic i keq”.Craig thotë se Sunak po luan policin e mirë. Ai del në këtë përfundim nisur nga fakti që edhe sikur të ketë për të thënë diçka shumë të keqe apo të rëndë, Sunak zgjedh tone të ulëta dhe fjalë të buta për ta përçuar atë gjë. Krejt ndryshe nga Braverman, që siç duket ka marrë përsipër të bëjë ”policin e keq”.
Prej ditësh bëhet thirrje nga Qeveria e Britanisë së Madhe e cila ka paralajmëruar grupet e trafikantëve që kalojnë emigrant të paligjshëm përmes kanalit të La Manshit. Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak dhe Suella Braverman kanë paralajmëruar se do të fusin në fuqi projektligjin e ri që synon të lërë jashtë shqyrtimit të gjitha format e kërkesave për azil që janë bërë nga ata emigrantë që futen në vend përmes gomoneve.
Rishi Sunak dhe Braverman do të udhëtojnë për në Paris të premten për të folur rreth krizës së emigrantëve. Gjatë muajve të fundit, ai ka qenë në bisedime intensive me Sektorin e Brendshëm dhe një rreth të vogël, të besuar të brendshëm të ministrave dhe këshilltarëve për të përpiluar një plan. Në vitin 2022, më shumë se 45,000 njerëz mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla krahasuar me 28,000 një vit më parë. Mes tyre janë raportuar se kanë qenë 10 mijë shqiptarë.
Emigrantët shqiptarë kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë ‘zbarkuar’ në brigjet britanike, rreth 10 mijë, Sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po pushtohet prej tyre. Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër dhe përgjigjia e kryeministrit Edi Rama nuk mungoi.