Policia italiane arreston 12 “neonazistë” që do t’i bënin ‘atentat’ kryeministres Giorgia Meloni

Policia italiane njoftonte sot se ka arrestuar 12 të dyshuar si neonazistë që komplotonin të vrisnin me atentat kryeministren e djathtë të “Fratelli d’Italia” Giorgia Meloni, dhe më pas të përmbysnin qeverinë, sipas mediave vendase.

Autoritetet shtonin se një grup në rrjet i quajtur ‘Werewolf Division’ kërkonte të përmbyste qeverinë aktuale me atentate ndaj zyrtarëve të lartë që i konsideronin të korruptuar, për të vendosur regjimin e tyre nacionalist të fokusuar te raca e bardhë.

Policia tha se me zbulimin e iniciativës kishte bastisur 25 shtëpi ku sipas tyre ishin zbuluar simbole naziste, flamurë fashistë dhe thika të mëdha. Policia tha se “për fat” nuk zbuloi eksplozivë apo armë zjarri në banesat e bastisura.

Anëtarët e grupit kërkonin të eliminonin Meloni me plumb në kokë, teksa në bisedat mes tyre flitej për stërvitje dhe misione zbulimi për lëvizjet e politikanëve në Romë.

Të dyshuarit kërkonin të qëllonin Meloni nga një hotel pranë qendrës politike të Romës, teksa i referoheshin kryeministres italiane si “robinjë e sionistëve”, fashiste dhe “tradhtare e kombit.”

Në një tjetër grup në rrjetin Telegram të quajtur ‘Movimento Nuova Alba’ (Lëvizja Agimi i Ri) diskutoheshin projektet e stërvitjes së ‘luftëtarëve’ dhe takimet e tyre, sipas deklaratës së hetuesve.

Sipas dokumenteve të publikuara nga rrjeti vendas La Repubblica, grupi kishte listuar anëtarët për stërvitje ushtarake, të cilët thirreshin me tyre me titullin ‘shoku.’

Ata akuzohen për shpërndarje të komenteve dhe pikëpamjeve anti-semite e anti-hebreje, mohojnë Holokaustin dhe mbanin uniforma ushtarake e libra propagande naziste.

Grupi zyrtarisht ishte shpërndarë nga autoritete në 2022, por mesa duket degëzimi i tij ‘Werewolf Division’, tentonte të vijonte misionin fillestar me akte guerrile sabotazhi ndaj qeverisë.

SHKARKO APP