Pompeo: SHBA gati të rindërtojë ekonominë e Koresë së Veriut

Kryediplomati amerikan Mike Pompeo i ka siguruar Koresë së Veriut se Shtetet e Bashkuara do të japin ndihma për të rindërtuar vendin, me kusht që regjimi verior të pranojë çarmatosjen bërthamore. Oferta e sekretarit të shtetit vjen në prag të samitit historik mes presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit koreano-verior Kim Xhong-un.

Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë Korenë e Veriut të rindërtojë ekonominë, vetëm nëse Peniani pranon të heqë dorë nga armët bërthamore. Ka qenë kjo oferta e sekretarit amerikan të shtetit Mike Pompeo, nga një konferencë për shtyp me gazetarët, pas bisedimeve me ministren e jashtme koreano-jugore në Uashington.

“Nëse kryetari Kim Jong-un zgjedh rrugën e duhur, do të ketë një të ardhme plot paqe dhe mbarësi për popullin e Koresë së Veriut. Nxis Penianin të ndërmarrë një aksion të guximshëm për t’u çarmatosur sa më shpejt,”-deklaroi Pompeo. Por sekretari i shtetit theksoi se diçka e tillë do të kërkojë një “verifikim rrënjësor” nga Shtetet e Bashkuara dhe kombe të tjera.

Swiss Digital Desktop Reklama

Më tej gjatë konferencës, sekretari i shtetit pohoi se ai kishte patur bisedime të mira me udhëheqësin verior Kim Jong-un nga takimi i tyre në Penian, më herët gjatë javës. Kujtojmë se gjatë kësaj vizite sekrete, Koreja e Veriut pranoi të lironte 3 të burgosur amerikanë, të cilët u kthyen në Shtetet e Bashkuara me sekretarin Pompeo.

Swiss Digital Mobile Reklama

Zhvillimet vijnë si përgatitje për samitin e ardhshëm mes presidentit Donald Trump dhe kryetarit Kim Jong-un, të cilët do të takohen në Singapor më 12 qershor. Dy udhëheqësit, të cilët kanë shkëmbyer kërcënime dhe ofendime më parë, e bënë publike datën pas bisedimeve historike mes dy Koreve në muajin prill.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?