Portugalia rihap muzetë, baret dhe shkollat e mesme
Portugalia ka rihapur sot muzetë, baret dhe shkollat e mesme, pothuajse dy muaj pas shtrëngimit të masave anti-Covid për shkak të rritjes së rasteve të infektimit në javët pas festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Që nga fillimi i pandemisë, vendi ka regjistruar pothuajse 16 900 viktima të shkaktuara nga koronavirusi dhe 823 335 të infektuar.
Lehtësimi i sotëm përfshin disa kufizime. Vetëm një maksimum prej katër personash lejohen të ulen së bashku në tryezat e lokaleve të jashtme, ndërsa muzetë do të jenë të lirë të ndryshojnë orët e tyre të hapjes. Në të njëjtën kohë, stërvitjet në grupe në palestra dhe qendra sportive mbeten të ndaluara.
Qeveria ka në plan të rihapë shkollat e mesme, universitetet dhe sallat e koncerteve në fund të këtij muaji, ndërsa restorantet do të duhet të presin deri në maj. Shkollat fillore u rihapën në 15 mars. Dje Lisbona njoftoi shtrirjen e kufizimeve të kalimit kufitar për turistët deri në 15 prill, një masë që ishte vendosur në fund të janarit. Masa nuk zbatohet për transportin e mallrave, punonjësit e kufirit dhe shërbimet e urgjencës.