Presidencialet e Kroacisë në balotazh, Zoran Milanoviç fitoi raundin e parë
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të Kroacisë përfundoi pa një fitues të qartë, por kandidati socialdemokrat dhe ish kryeministri i Zoran Milanoviç fitoi shumicën, duke marrë 29.5% të votave. Megjithëse doli e dyta, presidentja e tanishme Grabar-Kitaroviç, pritet të fitojë në raundin e balotazhit që do të zhvillohet më 5 janar.
Kandidati Social demokrat dhe ish kryeministri i Kroacisë Zoran Milanoviç fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Ai mori 29.5% të votave ndërsa presidentja e tanishme e qendrës së djathtë Kolinda Grabar-Kitaroviç e Bashkimit Demokratik Kroat 26.7% të votave.
“Gjatë dy javëve të ardhshme unë do të luftoj për të marrë votat e të gjithë atyre që interesohen për interesat e Kroacisë. Kështu do të ketë një komunitet të mirë e solidar qytetarësh në Kroaci, të të gjithë atyre që janë të ndryshëm, por të barabartë. Unë dëshiroj një vend në barazi,” tha Milanoviç.
Ai dhe Grabar-Kitaroviç do të përballen në balotazh më 5 janar të vitit 2020.
Presidenti ka rol ceremonial në Kroaci pasi ai nuk mund të bllokojë me veto ligjet, por kreu i shtetit ka ndikim të madh çështjet e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes. Pikërisht për këtë zgjedhjet po ndiqen me vëmendje nga vendet fqinje dhe kandidate për në Bashkimin Europian, pasi Kroacia merr presidencën e radhës së Këshillit Europian dhe në maj të vitit të ardhshëm do të mirëpresë samitin e ardhshëm të udhëheqësve të BE-së.
Presidenti ka një mandat pesëvjeçar. Megjithëse doli e dyta në raundin e parë, Grabar-Kitaroviç, mandati i parë i së cilës sipas disa vëzhguesve vlerësohet mjaft i paqartë me pak politikë dhe shumë retorikë patriotike populiste, duket se është e preferuara dhe për raundin e dytë.