Presidenti Biden firmos urdhër ekzekutiv për mbikqyrjen e inteligjencës artificiale

Presidenti Joe Biden nënshkroi të hënën një urdhër ekzekutiv mbi inteligjencën artificiale që mbulon një sërë çështjesh që variojnë nga siguria kombëtare, mbrojtja e privatësisë së konsumatorëve, të drejtat e njeriut dhe konkurrenca tregtare. Administrata amerikane tha se përmes këtij urdhri po merren “hapa jetikë në bazë të objektivit të Shteteve të Bashkuara që inteligjenca artificale të jetë e sigurt dhe e besueshme”.

Urdhri detyron departamentet dhe agjencitë e qeverisë federale të hartojnë politika për vendosjen e rregullave dhe standardeve në një industri që po zhvillon sisteme të reja dhe të fuqishme, me një shpejtësi të tillë që ka nxitur shqetësime se do ta tejkalojnë kuadrin aktual rregullator.

“Për të mbajtur premtimin mbi inteligjencën artificiale dhe për të shmangur këtë rrezik duhet të vendosim rregulla mbikqyrëse për këtë teknologji”, tha zoti Biden gjatë ceremonisë së nënshkrimit të urdhrit në Shtëpinë e Bardhë. Ai shtoi se ky urdhër paraqet “masën më të fortë të ndërmarrë nga një qeveri në rang botëror për të bërë të mundur që inteligjenca artificiale të jetë e sigurt dhe e besueshme”.

Identifikimi i rreziqeve që kërcënojnë sigurinë

Një nga kërkesat kryesore të urdhrit të ri është që kompanitë që zhvillojnë sisteme të avancuara të inteligjencës artificiale të kryejnë prova rigoroze për produktet e tyre, për të mos lejuar që ato të përdoren për sulme kibernetike.

Përmes këtij procesi, ndër të tjera, do të vlerësohen “kërcënimet prej sistemeve të inteligjencës artificiale ndaj infrastrukturës kritike, si dhe rreziqet kimike, biologjike, radiologjike, bërthamore dhe të sigurisë kibernetike”.

Rregullat për realizimin e këtyre testeve do të përcaktohen nga Insituti Kombëtar për Standarde dhe Teknologji dhe kompanitë e inteligjencës artificiale duhet të raportojnë gjetjet e provave tek qeveria federale, përpara se të hedhin në treg produktin për konsumatorët.

Për të shmangur rrezikun e krijimit dhe shpërndarjes së informacionit të rremë, përshirë fotografi të gjeneruara nga teknologjia dhe video me lajme të rreme, Departamenti i Tregtisë do të hartojë udhëzime për krijimin e standardeve që lehtëson idenfitikimin e përmbajtjes së gjeneruar nga teknologjia.

Udhri parashikon gjithashtu që shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare të hartojnë një sërë udhëzimesh për përdorimin etik dhe në mënyrë të përgjegjshme të sistemeve të inteligjencës artificiale nga agjencitë amerikane të zbulimit dhe ato të mbrojtjes kombëtare.

Mbrojtja e privatësisë dhe të drejtave të njeriut

Urdhri parashikon një sërë hapash që synojnë mbrojtjen e privatësisë së amerikanëve në rastet kur sistemet e inteligjencës artificiale kanë qasje mbi të dhënat e tyre. Kjo përfshin zhvillimin e teknologjive për mbrojtjen e privatësisë dhe vendosjen e rregullave mbi përdorimin e të dhënave personale nga agjencitë qeveritare.

Megjithatë, urdhri vë në dukje nevojën për miratimin e një legjislacioni që njëson rregullat për mbrojtjen së të dhënave personale.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara janë shumë prapa Evropës në përcaktimin e këtyre rregullave dhe në urdhrin ekzekutiv bëhet thirrje për miratimin dypartiak nga Kongresi “të një legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale të të gjithë amerikanëve, veçanërisht të fëmijëve”.

Urdhri mbulon një sërë fushash të tjera, duke premtuar masa për mbrojtjen e amerikanëve që mund t’u rrezikohen apo humbasin vendet e punës nga përdorimi i teknologjisë së inteligjencës artificiale, si dhe ruajtja e rolit udhëheqës së Shteteve të Bashkuara në krijimin e sistemeve të inteligjencës artificiale.

Çështje që mbeten ende të pazgjidhura….

Ekspertët thonë se pavarësisht se urdhri ekzekutiv ka një spektër të gjerë, mbetet ende e paqartë se si administrata e zotit Biden do t’i zbatojë në praktikë normat rregullatore të inteligjencës artificiale.

Benjamin Boudreaux, studies mbi politikat pranë Institutit Kërkimor RAND, i tha Zërit të Amerikës se megjithëse është e qartë se administrata po përpiqet të trajtojë të gjitha sfidat dhe rreziqet e inteligjencës artificiale, mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

“Djalli fshihet në detaje. E kam fjalën për burimet financiare dhe burime e tjera që do t’u vihen në dispozicion agjencive nën varësi të ekzekutivit, që realisht të zbatojnë shumicën e këtyre udhëzimeve dhe cilat prej këtyre normave dhe udhëzimeve që janë sugjeruar, do të zbatohen”, tha ai.

Mbizotërimi i tregut të inteligjencës artificiale

Në kuadrin ndërkombëtar, në urdhër thuhet se administrata do të punojë për të qenë në krye të “përpjekjeve për të krijuar norma të forta ndërkombëtare me qëllim shfrytëzimin e përfitimeve që sjell inteligjenca artificiale, menaxhimin e rreziqeve të saj dhe garantimin e sigurisë”.

James A. Lewis, zëvendëspresident dhe drejtor i programit të teknologjive strategjike në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, i tha Zërit të Amerikës se urdhri ekzekutiv ka ndikim pozitiv, për të përcaktuar rolin e Shteteve të Bashkuara në një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me zhvillimin global të inteligjencës artificiale.

“Trajton të gjitha çështjet e nevojshme,” shprehet zoti Lewis. “Nuk është novatore në shumë aspekte, por ua bën të qartë kompanive dhe vendeve të tjera se si do t’i qasen Shtetet e Bashkuara inteligjencës artificiale”, thekson ai.

Kjo sipas tij, ndodh sepse Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të luajnë një rol udhëheqës në zhvillimin e rregullave dhe normave ndërkombëtare rreth teknologjisë.

“U pëlqen ose jo, sigurisht disa vendeve nuk pëlqen, ne jemi në pararojë të zhvillimit të inteligjencës artificiale”, shprehet ai.

“Lufta e fundit”

Jo të gjithë ekspertët shprehen të sigurtë se administrata e Presidentit Biden po përqendrohet në rreziqet reale që inteligjenca artificiale mund të paraqesë për konsumatorët dhe qytetarët.

Louis Rosenberg, drejtor ekzekutiv i kompanisë amerikane të teknologjisë “Unanimous AI”, i tha Zërit të Amerikës se administrata ndoshta ka ndërmarrë “luftën e fundit”.

“Mendoj se është diçka e mirë që ata po bëjnë një deklaratë të guximshme se kjo është një çështje shumë e rëndësishme,” tha zoti Rosenberg. “Kjo tregon se administrata po e trajton me seriozitet dhe se ata duan të mbrojnë publikun nga inteligjenca artifficiale”.

Megjithatë, shton ai, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e konsumatorëve, administrata duket e përqëndruar në mënyrat se si inteligjenca artificiale mund të përdoret për të forcuar mbrojtjen ndaj rreziqet ekzistuese me të cilat përballen konsumatorët, si imazhet dhe videot e rreme dhe dezinformatat, çështje që tashmë ekzistojnë.

Ai tha se është më shumë i shqetësuar mbi format e reja të përdorimit të inteligjencës artificiale me qëllim ndikimin tek njerëzit. Për shembull, thotë ai, sistemet e inteligjencës artificale po ndërtohen në mënyrë të tillë që të simulojnë komunikimin njerëzor.

“Shumë shpejt ne nuk do të bëjmë kërkime në Google. Do të bashkëbisedojmë përmes programeve kompjuterike që simulojnë komunikimin njerëzor. Sistemet e inteligjencës artificiale do të jenë shumë efektive në manipulimim, ndoshta dhe përndjekjen e njerzve përmes këtij “bashkëbisedimi” për interesa të kujtdo që përdor këtë sistem kompjuterik. Ky është një lloj rreziku i ri dhe krejt ndryshe, që nuk ka ekzistuar përpara inteligjencës artificiale”, thekson ai./VOA/

SHKARKO APP