Probleme me programin e vaksinimit, BE: Kemi investuar miliarda euro….
Komisioni Europian pranoi të mërkurën se e ka vlerësuar gabim programin e vaksinimit kundër koronavirusit.
Ndërsa fushata e imunizimit nisi që në dhjetor, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk kanë marrë ende asnjë dozë, e tani as vetë shtetet e BE-së nuk po furnizohen sa duhet me vaksina.
“Normalisht, prodhimi i vaksinës zgjat 5 deri 10 vite. Ne e kryem për 10 muaj. I kuptojmë vështirësitë e industrisë me prodhimin në masë por kemi investuar miliarda euro dhe duhet të vazhdojnë me planet e vaksinimit.”
Presidentja e Komisionit, Ursula fon der Lajen, tha se mungesa e lëndëve bazë po ashtu po e pengon prodhimin e vaksinave.
“Për vetëm 2 molekula sintetike, sikur të kishim 250 gramë nga to, kompanitë thonë se do të prodhonin 1 milion doza më shumë.”
Deri tani, Izraeli ka vaksinuar mbi 60 për qind të popullatës, më shumë se çdo vend tjetër i botës, ndërsa për Europën, udhëheqin Britania dhe Serbia, përkatësisht me 19 dhe 8 për qind të popullsisë, të imunizuar.
BE-ja ndërkohë raporton 470 mijë jetë të humbura në total nga një virus që ka vrarë mbi 2 milionë e 300 mijë në gjithë botën.
Një ditë më parë, ekspertët e OBSH-së që po hetojnë origjinën e kovidit-19 në Kinë thanë se kanë vetëm hipoteza se nga mund të ketë ardhur.
“Në tregun e Uhanit shiteshin kafshë ferme dhe kafshë të egra të ngrira. Një hipotezë është që kafshët e egra nga frigoriferi mund të jetë kontaminuar diku në fermë, dhe virusi është përhapur prej andej.”
Ndërkohë, Pekini sugjeroi të mërkurën që OBSH-ja ta vijojë misionin e vet gjurmues në Amerikë, sepse virusi mund ta ketë atje prejardhjen.
“Ka pasur lajme dhe studime se epidemia është shfaqur në shumicën e botës që në gjysmën e dytë të vitit 2019, edhe në SHBA. Shpresojmë që siç bëri Kina, edhe SHBA-ja do të jetë e hapur dhe transparente për një hetim të tillë,” njoftoi Ministria e Jashtme e Kinës.