Profesori serb skeptik për fluturimet Prishtinë-Beograd

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për lidhjen ajrore, nuk është e lehtë për t’u zbatuar në praktikë. Profesori i shkencave politike nga Serbia, Filip EJDUS, shprehet skeptik. “Në teori kush do të ishte kundër një bashkëpunimi të mirë ekonomik, lidhje direkte ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës, ose rifunksionalizimit të shërbimeve hekurudhore mes dy vendeve? Por në praktikë nuk jam tërësisht i bindur se ato deklarata zyrtare mund të përkthehen në zgjidhje gjithëpërfshirëse politike”.

Ejdus shtoi se një nga arsyet pse është skeptik lidhur me këto marrëveshje, është fakti se siç thotë ai, Donald Trump ka një historik shumë të mirë për të bërë marrëveshje të cilat nuk përkthehen në veprime konkrete në terren. “Problemi është si gjithmonë, se djalli fshihet në detaje. Për shembull në rastin e linjës direkte ajrore është ende e pa qartë nëse kjo do të trajtohet si kombëtare apo fluturim ndërkombëtar. Po ashtu nuk është e qartë se si do të trajtohen pasaportat e Kosovës nga Beogradi. Pa i zgjidhur të gjitha këto çështje teknike por edhe ato të thella politike, këto marrëveshje nuk do të mund të zbatohen, e aq më pak të gjendet një zgjidhje politike gjithëpërfshirëse për çështjen e territorit dhe sovranitetit”.

Më tej, profesori deklaron se qasja e SHBA-së ndaj ccështjes Kosovë- Serbi dallon nga ajo e BE-së në dy aspekte. ”E para, përderisa BE ishte një negociator i durueshëm, SHBA-të posaçërisht nën udhëheqjen e Trump, do rezultate më të shpejta. E dyta, përderisa BE ka provuar të fillojë me çështje teknike dhe pastaj kaloi në ato politike, ku edhe u bllokua në fakt, strategjia e SHBA-së duket të fillojë me ekonomi dhe nga kjo të kalojë në domeinin politik”. /Euronews Albania/

SHKARKO APP