Profil/Angela Merkel, gruaja që i ‘përcolli’ të gjithë
Angela Merkel ka nisur tashmë një mandat të katërt historik si Kancelare e Gjermanisë, gjë që e bën atë një prej udhëheqëseve më jetëgjata në historinë e Gjermanisë.
Merkeli, që u rrit në Gjermaninë Lindore, hyri në Parlament në vitin 1990 teksa Perandoria Sovjetike po shkërmoqej, duke u ngjitur me shpejtësi nëpër radhët e qeverisë së Gjermanisë së saporibashkuar, që udhëhiqej nga i ndjeri Helmut Kohl.
Por “goca” e Kohlit, në fund do të vuloste fatin e tij politik, duke shkruajtur një koment në gazetë në vitin 1999, në të cilin e kritikonte udhëheqjen e tij dhe i bënte thirrje CDU-së që të ecte përpara, pa të.
Ajo u bë udhëheqëse e partisë një vit më vonë – dhe Kancelare, pas pesë vitesh. 12 vite më pas – dhe pavarësisht një rezultati të dobët zgjedhor që ia vështirësoi shumë krijimin e një qeverie – ajo është ende në këmbë, ndryshe nga shumë udhëheqës që u larguan.
Ja disa prej atyre që Merkeli “ka përcjellë” që kur erdhi për herë të parë në pushtet.
POLITIKE
29 udhëheqës të vendeve të G20 kanë ardhur dhe kanë ikur, që kur Merkeli mori pushtetin, duke përfshirë gjashtë kryeministra japonezë dhe pesë kryeministra italianë.
Lista përfshin gjithashtu Presidentin e SHBA, Barack Obama, presidentët francezë, Nicolas Sarkozy dhe François Hollande, dhe kryeministrat britanikë, Gordon Brown dhe David Cameron.
Dhe bota nuk ka qenë aspak pa konflikte gjatë kohës së qeverisjes së Merkelit. Kemi parë Pranverën Arabe, luftën civile në Libi, revolucionet në Egjipt, Tunizi dhe Ukrainë, dhe luftën mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Kemi parë ngjitjen e ISIS dhe marrjen – e më pas dorëzimin – prej grupit terrorist, të apësirave të mëdha territoresh në Siri dhe në Irak.
KRIZA
Tre vite pas fillimit të mandatit të parë, Merkel u përball me krizën më të madhe financiare që kishte parë bota, qysh prej Depresionit të Madh – dhe e udhëhoqi Gjermaninë drejt rimëkëmbjes ekonomike.
Disa vite më vonë, Evropa u zhyt në krizën e vet të borxheve, ku Greqia pothuaj u largua nga Eurozona, ndërkohë që papunësia pësoi rritje të madhe në Spanjë, Portugali, Irlandë dhe Greqi.
Shumë gjermanë nuk ishin dakord me mënyrën se si Merkeli e menaxhoi krizën, ndërkohë që këndvështrimi nga jashtë – përveç Greqisë – ishte më pozitiv.
Pa kaluar mirë emergjenca, erdhi e ashtuquajtura krizë e refugjatëve, ku mbi 1.5 milionë njerëz erdhën në Evropë nga deti. Shumë prej tyre përfunduan në Gjermani.
Dhe që nga viti 2005, shumë epidemi vdekjeprurëse kanë prekur globin, që nga virusi i gripit H1N1 (ose “gripi i derrit”) në 2009, deri tek shpërthimet e Ebolës dhe Zikës.
TEKNOLOGJI
Kur Merkeli hyri fillimisht në politikë, iPhone ishte një gjë e të ardhmes.
12 modele të telefonit të kudogjendur kanë dalë që atëherë – bashkë me tetë sisteme të ndryshme operimi të Mac, duke përfshirë Leopard, Mountain Lion dhe Yosemite. Kemi parë edhe ngjitjen – dhe rënien – e shumë pajisjeve, si Google Glass, sistemi i mesazheve i Google (Google Wave lindi i dështuar) si dhe Twitter Peek, një pajisje për të publikuar Tweet-e, që nuk doli dhe aq popullore.
Samsung Galaxy Note 7, telefoni që merrte flakë vetë, ka ardhur dhe ka ikur.
Udhëtimi hapësinor ka parë më shumë suksese – anija kozmike New Horizons u lëshua pak muaj pasi Merkeli u bë Kancelare, dhe udhëtoi 3 miliard milje për të mbërritur në Pluton, në vitin 2015.
SPORT
“Cili Usain?” Shumë pak njerëz kishin dëgjuar për atletin xhamajkan në vitin 2005. Bolt është shndërruar tashmë në legjendë të atletikës – dhe është tërhequr plot hijeshi – ndërkohë që Merkeli nuk ka lëvizur.
Klubet më të mëdha futbollistike të Evropës kanë patur shumë ndryshime që nga viti 2005 – Bajerni i Mynihut ka patur pesë trainerë të ndryshëm dhe rivalët e Realit të Madridit, tetë.
Dhe bota e sportit është tronditur nga shumë skandale dopingu, ku ish yje si Lance Armstrong, Tyson Gay dhe Maria Sharapova kanë rënë nga froni.
ARGETIMI
Gjatë qëndrimit të Merkelit në pushtet ka pasur shumë video sensacionale – që nga një bebe që kafshonte gishtin e vëllait, deri tek Gangnam Style e Psy.
Kemi parë sfidat e kovës me akull dhe të manekinit, dhe kemi parë ngjitjen dhe rënien e grupit britanik vetëm me djem, One Direction.
Disa prej serialeve televizive më të famshme të të gjitha kohëve nuk ekzistonin në 2005 – dhe tashmë janë shfaqur edhe seritë e fundit të tyre – që nga Breaking Bad, deri tek True Blood dhe Downtown Abbey.
Dhe shumë çifte Hollywoodi kanë vënë firmën në çertifikata martese dhe divorci gjatë kohës që Merkeli ka qenë kancelare – Katie Holmes dhe Tom Cruise, si dhe Chris Pratt e Anna Faris, apo Brad Pitt dhe Angelina Jolie, sa për të përmendur disa. /Burimi: CNN – Bota.al/