Programi i vaksinimit vazhdon zgjerimin, trend në rënie i rasteve të reja me COVID-19 në SHBA
Numri i rasteve të reja me koronavirus në Shtetet e Bashkuara është në rënie, ndërkohë që programi i vaksinimit vazhdon të zgjerohet.
Numri ditor i infektimeve në SHBA ka rënë për gati një të tretën në dy javët e fundit, në 145,000, ndërkohë që 95,013 persona janë duke u trajtuar në spital, për dallim nga 130,000 sa kanë qenë më herët gjatë muajit janar.
Janari ka qenë muaji më vdekjeprurës i pandemisë në SHBA, me më shumë se 95,000 viktima. Sikurse në gjithë botën, SHBA-ja po ngutet që të vaksinojë popullsinë e vet, derisa variantet tjera të virusit rrisin shqetësimet për trajektore të pandemisë.
Bashkimi Evropian ka thënë se kompania britaniko-suedeze, AstraZeneca, do të furnizojë bllokun evropian me nëntë miliona vaksina shtesë kundër koronavirusit deri në muajin mars.
Ky lajm vjen pas disa ditëve të kritikave ndaj BE-së për programin e vaksinimit. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se ky lajm përbën “një hap tutje”.
Mirëpo 40 milionë dozat e pritura janë vetëm rreth gjysma e asaj për të cilën është shpresuar, meqë problemet me furnizim me vaksina po vazhdojnë.
Ndërkohë në Izrael, qeveria ka shtyrë masat e izolimit për të paktën pesë ditë tjera, teksa tenton të vë nën kontroll numrin e madh të infektimeve.
Udhëtimet jo të domosdoshme dhe shumica e shkollave janë mbyllur teksa ky shtet përballet me izolim të tretë.
Izraeli ka zhvilluar një prej fushatave më të shpejta dhe më të suksesshme të vaksinimit, meqë ka arritur të vaksinojë një të tretën e popullsisë në vetëm një muaj.
Ky vend shpreson se do të vaksinojë pjesën më të madhe të popullsisë deri në mesin e muajit mars. Pavarësisht nisjes së këtij procesi, mesatarisht brenda ditës raportohen rreth 6,000 raste të infektimit me këtë virus, një prej shifrave më të larta në botën e zhvilluar.
Zyrtarët shëndetësorë besojnë se shkalla e lartë e infektimit është e lidhur me numrin e madh të rasteve të lidhura me variantin britanik të koronavirusit, i cili besohet se është më përhapës