Protesta masive kundër Gjukanoviç në Malin e Zi
Mijëra vetë pushtojnë Podgoricën duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit jetëgjatë të vendit dhe premtojnë protesta të përditshme deri në rrëzimin e tij.
Nga Dusica Tomovic, BIRN
Mijëra njerëz u mblodhën para ndërtesës së parlamentit të dielën në Podgoricë në një manifestim masiv kundër kryeministrit Milo Gjukanoviç, të cilën e akuzojnë për korrupsion, praktika jodemokratike dhe manipulim zgjedhjesh.
Protestat e organizuara nga Fronti Demokratik, një aleancë e partive kryesore opozitare, e cila njoftoi se do të vijojë të protestojë në mënyrë paqësore çdo ditë në orëj 6.30 të mbrëmjes deri sa Gjukanoviç, i cili e ka qeverisur Malin e Zi me rotacion si kryeministër dhe president që nga viti 1991, të dorëhiqet.
Opozita po kërkon krijimin e një qeverie të përkohëshme për të organizuar atë që ata e konsiderohnë si “zgjedhjet e para të lira dhe të ndershme” në Malin e Zi”.
“Nuk ka shkatërrime, nuk ka dhunë,. Policët do të qëndrojnë me ne për disa net. Kjo do të ndodhë edhe në qytetet e tjera të Malit të Zi,” tha Andirja Mandic, udhëheqës i partisë pro-serbe NOVA.
“Ne nuk duam pushtet të fituar në rrugë por zgjedhje të ndershme. Në mënyrë demokratike dhe paqësore, ne do të fitojmë lirinë. Lufta sapo ka filluar,” tha ai.
Protestuesit kundër qeverisë ngritën disa dhjetëra tenda në parkun përballë parlamentit në mënyrë që protestuesit të kalojnë natën aty deri në manifestimin tjetër të planifikuar për të hënën.
“Ne do të qëndrojmë në plate [jashtë parlamentit] deri sa kërkesat tona të plotësohen. Ne nuk do të pranojmë shantazhe apo zgjidhje të pjesshmë,” tha Strahinja Bulajic, një nga udhëheqësit e Frontit Demokratik.
Sipas organizatorëve, rreth 400 vetë kaluan natën në tenda.
Gjatë manifestimit, protestuesit u dyndën në sheshet kryesore të Podgoricës nga qytete të tjera të Malit të Zi si Nikshiç, Kolashin dhe Berane. Duke hedhur sllogante antiqeveritare, shumica valëvisnin flamuj serbë.
Siguria qe e ashpër dhe barrikadat u ngritën përreth parlamentit si pasojë e frikës se protesta mund të bëhet e dhunshme. Por manifestimi u mbyll në paqe, nuk pati të ndaluar apo zënka.
Opozita po planifikon gjithashtu një seri manifestimesh kundër Gjukanoviçit në të gjithë vendin.
Koalicioni aktual qeverisës u krijua pas zgjedhjeve të vitit 2012. Ai përfshin Partinë Demokratike të Socialistëve, partia e Gjukanoviçit, Partinë Social Demokrate dhe tri parti nga minorancat. Zgjedhjet e ardhëshme parlamentare pritet të ndodhin pranverën e ardhëshme.
Në mënyrë që të financojë protestën, por gjithashtu edhe të rrisë pjesëmarrjen e qytetarëve, Fronti Demokratik nisi një fushatë financimesh të vogla me synimin e premtuar të “protestave të para të financuara në mënyrë demokratike për demokraci”.
Përveç malazezëve, fushata po kërkon mbështetje edhe nga diaspora e vendit si dhe aktivistë të huaj pro demokracisë.