Protesta në Liban edhe pas dorëheqjes së qeverisë

Zemërimi popullor nuk po bie në Liban. Pavarësisht largimit të qeverisë, protestuesit vazhdojnë përleshjen me policinë. Ata kërkojnë përmbysjen e plotë të sistemit dhe të klasës politike, që e akuzojnë për korrupsionin e qeverisë dhe keqmenaxhim e vendit.

Largimi i qeverisë libaneze nuk e qetësoi gjendjen në vend dhe protestat vazhdojnë. Ky është tregues i zemërimit popullor që u rindez pas shpërthimit vdekjeprurës në portin e Bejrutit që deri më tani ka shkaktuar mbi 200 viktima, plagosi rreth gjashtëmijë dhe la rreth 300 mijë të pastrehë.

Përleshjet me policinë ndodhën pranë ndërtesës së parlamentit, ku protestuesit i hodhën kapsolla dhe gurë policisë, ndërsa kjo e fundit u përgjigj me gazlotsjellës.

Protestat vazhdojnë pavarësisht se qeveria libaneze dha dorëheqjen. Kryeministri Hassan Diab fajësoi për shpërthimin korrupsionin endemik në vend, por gjatë fjalimit të tij para kombit refuzoi të marrë përsipër ndonjë përgjegjësi.

Zjarri dhe shpërthimi në port erdhi si pasojë e ndezjes së mbi 2,700 tonë nitrat amoni që ishte magazinuar në kushte të papërshtatshme në magazinat e portit.

Shpërthimi tronditi të gjitha ndërtesat përreth dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale thuajse në mbarë qytetin.

Që përpara shpërthimit Libani ishte në vështirësi të mëdha ekonomike që i shtyu shumë familje në varfëri dhe uri.

Që prej tetorit të kaluar, protestuesit kanë kërkuar përmbysjen e mbarë sistemit dhe klasës politike, që e akuzojnë për korrupsionin e qeverisë dhe keqmenaxhim.

SHKARKO APP