Pse disa tubime masive bëhen të dhunshme?
Çfarë e nxit një grup njerëzish paqësorë të kthehen në të dhunshëm? Sa koherente janë turmat në qëllimin e tyre? Pse dhe si një turmë bëhet e tillë? Marshimi i javës së kaluar dhe sulmi vdekjeprurës mbi Capitol Hill, i ka ngritur sërish këto pyetje, dhe madje shumë të tjera. Mediat kanë debatuar fort për të gjetur gjuhën e duhur me të cilën t`a përshkruanin. Nëse skenat nga Capitol Hill zbulojnë një gjë, ajo është shumëllojshmëria. Kishte njerëz me veshje ushtarake që mbanin armë, zinxhirë dhe harta të korridoreve; individë me kapele të ”Xhaxha Semit”, dhe kostume me lëkure kafshësh.
Gustave Le Bon, një intelektual dhe shkrimtar francez, nuk kishte mbushur ende 7 vjeç gjatë rebelimit të vitit 1848 në Paris, dhe ka shumë të ngjarë të mos ishte dëshmitar i ditëve të tij më të përgjakshme. Dëshmitë mbi rebelimin e prekën shumë. Mbi atë ngjarje, ai ndërtoi një teori mbi sjelljen e turmës, e cila nuk e ka humbur kurrë rëndësinë. “Një grumbullim njerëzish,paraqet karakteristika të reja shumë të ndryshme nga ato të individëve që e përbëjnë turmën. Ndjenjat dhe idetë e të gjithë personave në atë tubim, marrin të njëjtin drejtim dhe personaliteti i tyre i ndërgjegjshëm. Aty formohet një mendje kolektive”,-shkruan Le Bon.
Koncepti i tij ndikoi për dekada në mesin e sociologëve. Filloi të dilte disi nga moda gjatë lëvizjeve protestuese në mesin e shekullit XX-të, si në Evropë po ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara. Kjo për një arsye: shumë sociologë nuk po i shihnin më ato demonstrata në televizion ose në letërsi; ata ishin vetë pjesëmarrës aktivë. A ishin ata vërtet dele pa mend, të dehur nga një mentalitet i turmës që e mbyste gjykimin e tyre individual? Nuk ndihej kështu nga një vëzhgues brenda turmës. “Një turmë është si një pacient tek mjeku, si i hipnotizuari tek hipnotizuesi”-shkroi Bill Buford, duke parodizuar këto supozime në librin e tij të vitit 1990 “Midis vagabondëve”, një tregim mbi kohën e tij të kaluar në shoqërinë e huliganëve të futbollit anglez.
Një ndryshim i madh në të menduarit mbi sjelljen e turmës ndodhi në mesin e shekullit të kaluar, dhe ai integroi dy parime konkurruese mes tyre. I pari është që në kushte specifike, protestuesit me mendësi paqësore mund të reagojnë dhunshëm kur për shembull thyhet një barrikadë nga të tjerët, apo kur policia godet dikë afër tyre.
Veprimet masive nuk zhvillohen në vakum. Ato janë ndërveprime të zgjeruara me policinë dhe zyrtarët e tjerë të sigurisë. Ashtu siç ka ndryshuar kuptimi i dinamikës së turmës, po kështu ka ndodhur dhe me taktikat e policisë dhe vlerësimin e kërcënimeve. Në protestat e viteve 1960-1970, qasja ishte të tregohej forca, e pasuar nga arrestimet e shumta masive. Tani, strategjia fillestare është shpesh përmbajtja. Policia ose zyrtarët e sigurisë zakonisht japin leje për protestat, duke bllokuar zonën përreth.
Nëse një turmë është një “bombë” potenciale, puna e forcave të sigurisë është t`a neutralizojnë atë vazhdimisht. Sot studiuesit kanë një varg mjetesh të reja për të parashikuar sjelljen e turmave. Për shembull, shkencëtarët mund të modelojnë sjelljen e turmës duke “populluar” në mënyrë dixhitale një rrugë ose park me një turmë, dhe duke programuar numrin e mundshëm të provokatorëve, si dhe duke simuluar të gjithë skenarët e mundshëm, bazuar në taktikat e ndryshme të policisë. Por gjithmonë do të ketë surpriza.