Pse Emmanuel Macron rrezikohet nga një grusht shteti nga ana e ushtarakëve
Nga Francesco Maselli “Linkiesta”
Të mërkurën e kaluar, e përjavshmja e ekstremit të djathtë “Valeurs Actuelles”, publikoi një letër të hapur drejtuar qeverisë franceze të nënshkruar nga 24 gjeneralë në pension, e cila u pasua nga nënshkrimi i qindra ushtarakëve të tjerë.
Ushtria denoncon “shpërbërjen” e Francës për shkak të“anti-racizmit”, që sipas saj do të krijojë në territorin francez “shqetësim dhe urrejtje midis komuniteteve”, “Islamizimin dhe rebelimin e një hordhie nga ata të periferive”, të cilat do të krijonin “zona që i nënshtrohen dogmave, të cilat janë në kundërshtim me kushtetutën tonë”.
Letra me titull “Për një rikthim të nderit të sundimtarëve tanë” e akuzon qeverinë si të paaftë për të mbrojtur vlerat franceze, dhe i bën thirrje të reagojë sa nuk është vonë:“Situata është serioze, puna që keni përpara është shumë e madhe; ndaj mos humbni kohë, dhe dijeni që ne jemi të gatshëm të mbështesim politikat, që marrin parasysh mbrojtjen e kombit”.
Toni është shumë i ashpër, fjalori shumë i ngjashëm me atë të përdorur nga e djathta ekstreme kur flet mbi tensionet sociale në Francë. Letra përfundon me një kërcënim të
qartë të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë nga ushtria, në rast se nuk ndryshojnë gjërat:“Nëse nuk ndërmerret asnjë veprim, polarizimi do të vazhdojë të përhapet në mënyrë të pashmangshme në shoqërinë franceze, duke shkaktuar përfundimisht një shpërthim të dhunës, dhe ndërhyrjen pasuese të shokëve tanë në detyrë, në një mision të rrezikshëm të mbrojtjes së vlerave të civilizimit tonë, dhe ruajtjen e bashkatdhetarëve tanë në territorin tonë kombëtar”.
Vetëm një javë më parë, e njëjta e përjavshme intervistoi Philippe de Villiers, një ish-parlamentar francez, europarlamentar dhe Nënsekretar i Kulturës gjatë presidencës së Jacques Chirac, dhe një ish-anëtar i UMP, e djathta Goliste, gjatë së cilës ai nxiti sërish një rebelim kundër qeverisë.
Çuditërisht, qeveria nuk reagoi zyrtarisht ndaj letrës së gjeneralëve, derisa çështja u bë politike. Të premten e shkuar udhëheqësja e Tubimit Kombëtar, Marine Le Pen, njëherazi kandidate në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, tha se ajo “binte dakord me analizën” e gjeneralëve, dhe i ftoi ata që të “bashkohen me projektin tonë politik”, duke mbrojtur tezën e tyre në disa intervista të dhëna gjatë fundjavës, dhe duke i dërguar një letër “Valeurs Actuelles” ku përsëriste mbështetjen e saj, teksa rikujtoi nevojën për të gjetur “zgjidhje paqësore dhe demokratike” për problemet e ngritura.
Ministrja e Forcave të Armatosura Florence Parly shkroi të dielën në Twitter se fjalët e Marine Le Pen tregojnë “një injorancë të madhe mbi mënyrën e funksionimit të ushtrisë”,
duke shtuar se ajo mbështet një “letër të papërgjegjshme nga disa ushtarakë në pension, që përfaqësojnë vetëm veten e tyre”.
Në atë moment çështja u bë objekt i debatit publik, dhe shumë gazeta dhe politikanë i kërkuan ministres që të ndërhynte për të ndëshkuar ushtarakët që e nënshkruan letrën në fjalë, dhe sidomos ata që janë ende në shërbim në ushtrinë franceze.
Parly iu rikthye kësaj çështje të hënën pasdite, përmes një artikulli të botuar në gazetën “Libération”, në të cilën ajo mori sërish një qëndrim kundër udhëheqëses së Tubimit Kombëtar. Nuk është ende e qartë nëse do të ndërmerret ndonjë veprim, por ka shumë të ngjarë që ndaj ushtarakëve në shërbim të merren masa ndëshkimore.
Por përtej debatit politik, është e qartë se kjo letër është një simptomë e një sëmundjeje të thellë që po përshkon Francën, një vend që është prej vitesh i ndarë nga një debat i ashpër mbi identitetin kombëtar, sigurinë, fenë dhe pakicat.
Ushtria franceze është mbiquajtur edhe si “la grande muette” (memecja gjigante), pikërisht pasi në të kaluarën ajo ka luajtur një rol qendror në tranzicionin e pushtetit, ndërsa sot përpiqet në çdo mënyrë që të simbolizojë unitetin kombëtar.
Pavarësisht disa ngjarjeve shqetësuese, siç është zbulimi i një grupimi neo-nazistësh tek trupat tokësore, i dokumentuar nga një investigimi i gjatë i Mediapart, ushtria mbetet një nga institucionet më të dashura nga francezët.
Prandaj nuk mund të mos bien në sy disa detaje të letrës, të cilat ndihmojnë në shpjegimin pse Marine Le Pen mund të ketë vendosur të ekspozohet në këtë mënyrë, duke iu kundërvënë vetë politikës së saj të moderuar, të kultivuar me shumë vështirësi vitet e fundit.
Qasja e ditëve të fundit në favor të një letre që është në pragun e kërcënimit me një grusht shteti mund të duket si një gabim i madh politik, por ia vlen që të përmendet edhe konteksti në të cilin ajo është shkruar. Letra u botua saktësisht 60 vjet pas të ashtuquajturit “Puçi i gjeneralëve”, një përpjekje e dështuar për grusht shteti kundër gjeneralit De Gaulle, i akuzuar nga disa ushtarakë për tradhti kombëtare, për shkak të politikës së tij në favor të pavarësisë së Algjerisë.
Babai i Marine Le Pen, Jean Marie, është një anti-Golist i vendosur, dhe që në moshë të re ishte shumë i afërt me disa anëtarë të OAS, organizata terroriste që u krijua menjëherë pas dështimit të puçit të gjeneralëve, dhe që u përpoq disa herë që ta vriste De Gaulle.
Fronti Kombëtar ka aktualisht një refuzim të thellë jo vetëm ndaj ideve të tij, por pikërisht për historinë e tij dhe kompromisin me organizatat e grushtit të shtetit, të cilat janë përpjekur të shkatërrojnë Republikën e Pestë. Vajza e tij, Marine, ia ndryshoi emrin partisë pikërisht për këtë arsye.
Le Pen përpiqet që ta përdorë dëshirën për rregull që ekziston dhe po bëhet më e fortë në pjesë shumë reaksionare të shoqërisë franceze. Pas një 1 viti do mësojmë nëse llogaritjet e saj elektorale kane qenë apo jo të sakta.
Përshtati: Abcnews.al