Publikohet raporti mbi teknikat e marrjes në pyetje nga CIA
Raporti zbulon hollësi të reja në lidhje me teknikat e ashpra të marrjes në pyetje të përdorura nga CIA pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
"Qëllimi i këtij raporti është të zbulohen faktet pas këtij programi të fshehtë, dhe rezultatet, mendoj se janë tronditëse. Raporti nxjerr në pah brutalitetin dhe është në kontrast të plotë me vlerat tona si vend", tha senatorja Dianne Feinstein.
Disa zyrtarë dhe anëtarë të Kongresit janë të shqetësuar se grupe ekstremiste do ta përdorin raportin për axhendën e tyre anti-amerikane.
"Ata do të përfitojnë nga kjo. Ne e dimë se operacionet propagandistike të ISIL-it do ta bëjnë këtë, ata janë mësuar me këto gjëra," thotë ligjvënësi republikan Mike Rogers.
Ushtria amerikane kishte vënë mijëra trupa në gatishmëri përpara publikimit të raportit prej 6000 faqesh, nga shqetësimi i sulmeve ndaj misioneve amerikane jashtë vendit.
"Kjo në fakt do të nxisë dhunën dhe ka të ngjarë t'i kushtojë dikujt jetën," thotë republikani Mike Rogers.
Administrata e ish-presidentit George W. Bush u kritikua rëndë kur u zbuluan disa hollësi për teknikat e ashpra të përdorura në burgjet sekrete të CIA-s jashtë vendit. Më pas, këto burgje u mbyllën.
Por raporti i ri zbulon se programi vazhdoi edhe pasi u provua se nuk kishte efekt. Ish-drejtori i CIA-s Michael Hayden nuk është dakord me këtë pohim, në komentet për rrjetin CBS.
"Të thuash se kemi gënjyer për një periudhë të gjatë rreth një programi që nuk po jepte asnjë rezultat, kjo është thjesht frantazi," tha zoti Heyden.
Presidenti Barack Obama në fillim të këtij viti pranoi se disa nga teknikat e përdorura ishin gati baraz me torturën.
"Ne kemi torturuar njerëz, kemi bërë disa gjëra në kundërshtim me vlerat tona," tha Presidenti Obama.
Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti e mbështet publikimin e raportit nga Komisioni i Senatit.
Josh Earnest, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, tha:
"Administrata e mbështet fuqishëm publikimin e kësaj përmbledhjeje të deklasifikuar të raportit. Presidenti, që në ditën e tij të parë ose të dytë në detyrë përdori urdhrin ekzekutiv për t'u dhënë fund teknikave që përshkruhen në raport."
Raporti përshkruan teknika të tilla ekstreme të marrjes në pyetje si privimi i gjumit ose simulimi i mbytjes me ujë.