Punëtorët hezitojnë t’i raportojnë rastet e shkeljeve të të drejtave të tyre
Punëtorët në Maqedoninë e Veriut gjithnjë e më pak i denoncojnë shkeljet e të drejtave të tyre nga ana e punëdhënësve, si rrjedhojë e mungesës së besimit në sistemin gjyqësor.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2019 në Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut janë drejtuar 804 punëtorë për të kërkuar ndihmë juridike pasi u janë shkelur të drejtat në raport me marrëdhënien e punës. Kjo shifër është për 200 më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018, kur kishte 1 mijë e 7 denoncime, përkatësisht kërkesa për mbrojtje juridike ndaj shkeljes së të drejtave të punëtorëve.
Numri më i madh i ankesave, gjithsej 514 në vitin 2019, është aiipunëtorëve në industri, energjetikë dhe miniera, që kryesisht kanë të bëjnë me mospagesën e rrogave, mjeteve shtesë jashtë orarit të punës, si dhe mospagesës së kontributeve.
Rreth 100 kërkesa të tjera kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të punëtorëve nga firmat e falimentuara dhe 70 kërkesa të tjera kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave sindikale.
Katerina Popovska, juriste në kuadër të Lidhjes së Sindikatave në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzistojnë shumë arsye pse punëtorët hezitojnë të ngrenë proces gjyqësor sa i përket shkeljes së të drejtave të tyre.
“Si arsye e parë do të thosha është ajo se një pjesë e madhe e anëtarëve, përkatësisht punëtorëve, nuk janë mjaftueshëm të njoftuar për të drejtat e tyre që kanë mundësi t’i realizojnë përmes sindikatave, por më e rëndësishmja do të thosha pjesa më e madhe tyre hezitojnë të denoncojnë rastet edhe kur janë të sigurt se janë shkelur të drejtat e tyre, sepse kanë frikëse punëdhënësi do t’i largojë nga puna”.
“Një aspekt tjetër është mosbesimi në sistemin gjyqësor, jo rrallëherë Inspektorati i punës është vendosur në mbrojtje të interesave të punëdhënësit”, thotë Popovska.