Putin-Erdogan rrisin bashkëpunimin ushtarak. Sot në Ankara edhe presidenti i Iranit
Gjatë vizitës së parë jashtë vendit të Vladimir Putinit që nga rizgjedhja e tij muajin e kaluar, presidenti rus dhe ai turk vendosën që të zgjerojnë bashkëpunimin ushtarak si dhe nisën punën për ndërtimin e centralit të parë bërthamor të Turqisë. Në një konferencë shtypi në Ankara, Putin njoftoi se Rusia do të sjell sa me shpejt në Turqi sistemet e mbrojtjes S-400, pas kontratës së nënshkruar në muajin dhjetor të vitit të kaluar, pavarësisht kundërshtimeve të Nato-s.
“Jemi duke përshpejtuar prodhimin dhe gjithashtu kemi finalizuar çmimin. Sa i përket përshpejtimit të procedurave të shpërndarjes, ne e kemi bërë këtë me kërkesë të miqve dhe partnerëve tanë turq. Sa i përket centralit bërthamor, ne si Rusi jo vetëm po ndërtojmë centralin e parë të Turqisë, por po themelojmë sektorin bërthamor turk”. Nderkohe presidenti turk Erdogan e vuri theksin tek tentativat për helmimin e marrëdhënieve Turko-Ruse.
“Falë Zotit, marrëdhëniet tona kanë kaluar me sukses shume sprova të vështira. Me çdo provokim të dështuar, marrëdhëniet tona janë forcuar njësoj si çeliku dhe hekuri të cilat shuhen me ujë. Sa i përket centralit bërthamor, ai do të plotësojë 10 përqind të nevojave të Turqisë për energji kur të gjithë reaktorët të vihen në punë”deklaroi Erdogan.
Ndërkohë gjatë ditës së dytë të qëndrimit në Ankara, presidentit rus Putin do t’i bashkohet edhe presidenti Iranian Rouhani të cilët së bashku me mikpritësin e tyre Erdogan do të diskutojnë për të ardhmen e Sirisë. Ky është samiti i dytë trepalësh në gjashtë muajt e fundit. Të tre shtetet janë të përfshira thellësisht në luftën në Siri. Rusia dhe Irani mbështesin presidentin Bashar al-Assad, ndërsa Turqia kërkon largimin e Assad nga detyra.
/BW
KOHA JONË SONDAZH

